Luciano Moggi ka shprehur mendimin e tij mbi Superkupën e Italisë në analizën e vet të zakonshme për gazetën “Libero”: “Futbolli italian ishte shfaqje për botën. Këtu kam parasysh Inter, Milan, Juventus dhe Atalanta, përballjen mes tyre në Superkupën e Italisë, e cila u zhvillua në Emiratet e Bashkuara Arabe, e fituar në mënyrë të papritur nga kuqezinjtë me përmbysje të dyfishtë ndaj bardhezinjve në gjysmëfinale dhe ndaj kundërshtarëve të qytetit, zikaltërve.
Mund të kundërshtohet arsyeja për praninë e Milanit dhe Atalantës në këtë kompeticion, duke qenë se duhej të kishte qenë një ndeshje midis Interit dhe Juventusit, respektivisht fitues të kampionatit dhe Kupës së Italisë. Mund ta përmendim globalizimin, por sidomos të drejtat televizive atje janë më të lakmuara”.
Moggi vazhdon: “Ndoshta mund ta shpjegojë këtë gjë më mirë Gasperini, i cili është kritikuar për injorimin e kësaj ngjarjeje, pasi la jashtë, kundër Interit, titullarë si De Ketelaere dhe Lookman. Sipas meje, arsyeja më logjike mund të ketë qenë për të favorizuar kampionatin përpara një Superkupe ku marrin pjesë ekipe që nuk kanë të drejtë të jenë aty.
Nuk do të dëgjoni shpesh se ai e bëri për të mbrojtur lojtarët nga lodhjet e kota, me qëllim që të tentonte të fitonte kampionatin. Natyrisht, mund ta mendoni edhe kështu. Nuk është çudi nëse pastaj humbet 2-0. Edhe më keq ndeshja tjetër gjysmëfinale, Milan-Juventus, e fituar nga kuqezinjtë 2-1 me përmbysje. Dy skuadra të zhytura, që e kishin harruar vetëvlerësimin në shtëpitë e tyre.
Milani, përveç kësaj, me trajnerin e ri, Conceicao, i cili sapo kishte ardhur, me njohuri të kufizuara të skuadrës kuqezi, dhe Juventusi, tek i cili trajneri Motta nuk ka sjellë asgjë të mirë, vetëm fjalë të bukura, të paktën deri tani. Zëvendësimet mund të bënin ndryshimin dhe e bënë. Ato të Milanit ishin më të mira se ato të trajnerit bardhezi”.
Në fund, një vlerësim për finale e Superkupës mes Interit dhe Milanit: “Ishte një ndeshje me faza emocionuese për kthesën fituese të Milanit. Një Milan totalisht ndryshe nga ai që pamë, megjithëse fitues, kundër Juves, me vetëvlerësim të rikthyer pas fitores ndaj bardhezinjve, me entuziazëm të rinovuar për ngarkesën emocionale dhe psikologjike të dhënë nga trajneri i ri.
Nëse pastaj më të mirët në fushë ishin Leao dhe Hernandez, që realizuan gola dhe dhanë asistime, mjafton edhe më shumë për të treguar vlefshmërinë e punës psikologjike të bërë nga Conceicao te lojtarët e tij. Kjo ndodhi në Riad, ku Superkupa na bëri të kuptojmë që është e bukur kur hap sezonin dhe jo në mes të janarit, sepse e prish kalendarin dhe ndërpret punën e ekipeve të mëdha”.