Policia e Kosovës sot mbylli Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të “aktiviteteve të paligjshme”, si dhe kompaninë sigurimesh nga Serbia – Dunav Osiguranje, për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.
Aksioni u zhvillua në koordinim me prokurorin e shtetit dhe kanë asistuar zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës, nën dyshimet për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.
Siç merr vesh Gazeta Sinjali, janë gjetur dhe sekuestruar disa shtëpiza kompjuterike, laptopë, dosje me dokumente të ndryshme, vula, si dhe libër me shënime – që do të shfrytëzohen si dëshmi gjatë procedurës penale,
Burimet thonë se për rastin e Administratës, është intervistuar drejtuesi i institucionit, Sinisa Lazic, në cilësinë e të dyshuarit, ndërsa për kompaninë e sigurimeve është marrë në pyetje si i dyshuar Sladjan Jokic.
Lista Serbe njoftoi se me mbylljen e Administratës Tatimore, 80 punëtorë “kanë mbetur në rrugë”, dhe e akuzoi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po vazhdon fushatën zgjedhore “në kurriz të popullit serb”, para zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.
Mbyllja e tyre është vazhdim i aksioneve për mbylljen e institucioneve të Serbisë në Kosovë, të cilat autoritetet zyrtare të Prishtinës i konsiderojnë “të paligjshme”.