Fillon vaksinimi Kundër HPV për djemtë në Kosovë

- Gazeta e Prizrenit

Fillon vaksinimi Kundër HPV për djemtë në Kosovë
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë mbajtur një konferencë për media, lidhur me implementimin e vaksinave të reja, me theks aplikimi i HPV vaksinës edhe te djemtë në Kosovë.
Drejtoresha ekzekutive e IKShPK-së, Dr. Ardita Baraku tha se implementimi i HPV vaksinës për të dy gjinitë, përveç rolit parandalues, mundëson dhe garanton edhe barazinë në qasjen ndaj parandalimit të sëmundjeve të shkaktuara nga HPV, përfshirë kancerin anal, oral dhe sëmundje të tjera që prekin të dy gjinitë.

Ajo theksoi se IKSHPK, përmes menaxhimit të procesit, bashkë me QKMF-të dhe profesionistët e njësive të vaksinimit në çdo komunë, do të japin maksimumin për të siguruar që ky proces të jetë sa më i lehtë dhe i qasshëm për secilin prind dhe fëmijë.
Ministri i Shëndetësisë, Dr. Arben Vitia, tha se në vitin e kaluar, 10,000 vajza janë vaksinuar pa asnjë efekt anësor të raportuar, duke arritur një mbulueshmëri 84% në nivel vendi.
Ai inkurajoi, prindërit dhe kujdestarët, që të sigurohen që fëmijët e tyre të vaksinohen, sepse sipas tij, vaksinimi i sotëm është mbrojtja e nesërme.
Dr. Fetije Fetaj, Shefe e Programit të Vaksinimit, prezantoi ecurinë e vaksinës HPV në Kosovë, duke nënvizuar mbulueshmërinë e lartë të vaksinimit prej 84% gjatë vitit të parë. Ajo ka theksuar rëndësinë e vaksinës në parandalimin e infeksioneve HPV dhe sëmundjeve të tjera serioze, përfshirë kancerin e qafës së mitrës dhe lloje të tjera të kancerit, duke u dhënë mundësi fëmijëve të kenë një të ardhme më të shëndetshme.


Read it all at Gazeta e Prizrenit