Protesta kundër reduktimeve të ujit në lagjen “Bajram Curri” të Prizrenit

- Gazeta e Prizrenit

Protesta kundër reduktimeve të ujit në lagjen “Bajram Curri” të Prizrenit

Banorët e lagjes “Bajram Curri” në Prizren të enjten kanë protestuar para zyrave të KRU “Hidroregjioni Jugor” lidhur me furnizimin e parregullt me ujë të pijes. Sipas tyre reduktimet në këtë lokalitet aplikohen me muaj të tërë, duke pamundësuar jetesën normale për qytetarët e kësaj ane.

Nga përgjegjësit e kompanisë së ujësjellësit, banorët kanë kërkuar ndërprerjen e këtyre reduktimeve.

“Qytetarët e lagjes ‘Bajram Curri’ qe 7 muaj kanë reduktime të gjata të ujit, prej orës 9 deri në ora 6 apo 7 e ndonjëherë deri në ora 8. Gjatë ditës shtypja është shumë e vogël dhe nuk mjafton për ti kryer popullata punët. Kërkesat tona janë heqja e reduktimeve të furnizimit me ujë të pijes”, ka thënë Dashmir Susuri, raporton Telegrafi.
Sipas tij, gjendja aktuale përbën shkelje të të drejtave të njeriut për banorët e kësaj lagjeje.

Banori tjetër, Malush Fanaj ka theksuar se kjo lagje me muaj tërë ballafaqohet me reduktime.

“Kemi pas mirëkuptim për periudhën gjatë thatësirave, por tani ka pasur reshje. Nëse krejt qyteti ka ujë, pse vetëm lagjja jonë me pas reduktime. Pa ujë s’ka jetë normale”, ka deklaruar ai, raporton Telegrafi.

Kryetari i Këshillit Lokal të lagjes “Bajram Curri”, Pelivan Pulaj ka bërë të ditur se protesta është organizuar për të kërkuar respektimin e një të drejte elementare për furnizim 24 orë me ujë të pijes.

“Ditën, edhe kur ka ujë nuk i plotëson kushtet, ka shumë pak shtypje. Kërkesat tona janë që reduktimet të eliminohen dhe të kemi shtypje më të madhe të ujit”, ka thënë ai, duke theksuar se periudhat e gjata me reduktime nuk janë të drejta.

Pas qëndrimit disa minutësh para zyrave të KRU “Hidreregjioni Jugor”, përfaqësuesit e lagjes kanë zhvilluar një takim me dyer të mbyllura me drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje publike. /Telegrafi/


Read it all at Gazeta e Prizrenit