Ja çfarë rrezikon sulmuesi shqiptar

- Bota Sot

Ja çfarë rrezikon sulmuesi shqiptar

Një shprehje thotë: “Me fatin nuk mund të luftosh”.

Sidomos kur bëhet fjalë për futbollin e luajtur, janë disa gjëra që nuk varen nga ne. Armando Broja po kalon ndoshta momentet më të vështira në karrierën e tij, teksa mbrëmjen e së enjtes, “e mallkuar” për të, ai u dëmtua sërish në ndeshjen që Evertoni fitoi 2-0 në Kupë kundër Piterborou.

Sot, ende nuk është bërë e ditur se çfarë dëmtimi ka pësuar Armando dhe sa do të jetë koha e rikuperimit. Stafi mjekësor ka marrë kohën e vet dhe gjithçka do të jepet pas testeve të kryera. Ky dëmtim vjen pas qëndrimit rreth 3 muaj jashtë (shtator-nëntor 2024) për një dëmtim në “Tendinën e Akilit”. Ndërkohë dy vite më parë, sulmuesi këputi ligamentet e gjurit në një ndeshje miqësore me fanellën e Çelsit dhe iu deshën nëntë muaj që të rikuperohej plotësisht.

Viti 2025 ka nisur në mënyrën më të keqe për Armando Brojën.

Sulmuesi sapo kishte filluar të luante dhe të merrte minuta gradualisht me Evertonin, pësoi një lëndim një javë më parë në ndeshjen kundër Bornmuthit. 23- vjeçari në tentativë për të goditur topin, me një forcë shumë të madhe ka goditur tokën. Për këtë, kavilja e tij dhe muskujt e shpinës kanë pësuar një kontraktim. Pas tri ditësh vjen ndeshja e Kupës, me Brojën që ishte në dyshim, por sipas klubit sulmuesi e kishte kaluar atë traumë dhe ishte i gatshëm për të luajtur.

Megjithatë, ai nuk e nisi titullar dhe u aktivizua nga ndihmëstrajneri në minutën e 68-t, sepse trajneri Shon Dajç u shkarkua pak orë përpara sfidës. Ndoshta trauma në këmbën e djathtë nuk kishte kaluar plotësisht dhe gjatë një aksioni, tepër i pafat, Broja vendos keq këmbën e djathtë në tokë dhe në atë moment rrëzohet në fushë duke ndjerë një dhimbje të fortë, aq sa u detyrua të dilte me barelë nga fusha.

Në pritje të ekzaminimeve mjekësore, disa specialistë të fushës kanë analizuar dëmtimin e Brojës duke parë pamjet e dëmtimit të sulmuesit. Me sa shihet, dëmtimi ka ndodhur në pjesën e poshtme të këmbës, këtu përjashtohet gjuri.

Nga video duket si një ndrydhje e kyçit të këmbës, e gradës së mesme ose të lartë. Koha e rikuperimit do të ishte 2 deri në 6 javë. Ndërkohë nëse janë dëmtuar ligamentet dhe Broja do të duhet t’i nënshtrohej një ndërhyrje, koha e rikuperimit do të ishte 8-12 javë. Gjithashtu mund të jetë edhe një tërheqje në muskujt e pulpës.



Read it all at Bota Sot