Ardian Ismajli shqetësoi jo pak në pjesën e parë të ndeshjes së Empolit ndaj Leçes, kur nuk u duk në formën më të mirë fizike dhe pa kaluar 20 minuta la fushën pasi nuk mund të vazhdonte më. Ai kishte marrje mendsh dhe kjo shihej qartë, teksa e pat të vështirë edhe të kthehej në pankinë.
Trajneri Roberto D’Aversa ka shpjeguar pas sfidës në fjalë, se ndoshta problemi i Ismajlit kishte lidhje me një ndërhyrje kirurgjikale që kishte kryer gjatë javës, pas një frakture në dorën në ndeshjet e mëparshme, arsyeja pse e mbante të fashuar.
“Kreu një ndërhyrje kirurgjikale gjatë javës, me shumë mundësi kishte ndonjë situatë marramendje për shkak të saj. Nuk mund të përdorte plotësisht dorën, me shumë mundësi ka vuajtur këtë situatë.
Starti i tillë i ndeshjes mund të varet edhe nga kjo gjendje jo e shkëlqyer, por Ardianin nuk mund ta kritikosh për asgjë. Ai ka qenë gjithmonë në dispozicion të ekipit dhe ka sakrifikuat për të gjithë grupin, duke u konfirmuar në çdo ndeshje si pikë referimi”, tha trajneri për mbrojtësin shqiptar.