Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se cikloni i ardhur nga jugu i Italisë dhe rajoni i Detit Jon ka shkaktuar reshje intensive të borës në disa zona, duke bërë me dije se kjo situatë do të vijojë edhe në ditët në vijim.
Kjo situatë pritet të jetë më e theksuar gjatë së hënës (13 janar), ku temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet -5 deri në -3 gradë celsius, e ato maksimalet ndërmjet -2 deri në -1. Do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1-7 m/s.
Ndërsa të martën temperaturat pritet të bien deri në -3 gradë celsius, e ato maksimalet do të mbërrijnë në 2 gradë celsius.
“Një ciklon që ka ardhur nga jugu i Italisë dhe rajoni i Detit Jon ka sjellë reshje intensive në disa zona, kryesisht me lartësi mesataren dhe një rënie të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin. Kjo situatë meteorologjike pritet të vijojë me reshje të reja bore, kryesisht ditën e hënë”.
“Ngricat tashmë janë prezente në të gjitha zonat, duke e bërë qarkullimin më të vështirë. Për këtë arsye, rekomandohet kujdes i shtuar për drejtuesit e automjeteve, të cilët duhet të jenë të pajisur me mjete dimërore dhe të shmangin udhëtimet e panevojshme. Gjithashtu, këmbësorët dhe personat e moshuar këshillohen të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur rrëshqitjet dhe incidentet në rrugë”, thuhet në njoftim.