Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçoviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore, shkruan Reporteri.net.
“Mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore, e për arsyet e tjera që i ka pasur Naimi që ta planifikojë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë”, ka deklaruar Prokurorja.
Ajo tha se edhe çështja e motivit e ka vonuar ngritjen e kësaj aktakuze.
“Duhet të sqarojmë përse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës. Duhet të themi që provat materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çka ka munguar, ka munguar motivi që ka shtyrë kryerësit për veprën. Meqenëse e ndjera ka jetuar një kohë të gjatë në Suedi dhe për këtë arsye organeve atje u jemi drejtuar që të na ofrojnë të dhëna dhe kemi marrë raportin në ato pyetje të cikat iu kemi parashtruar organeve kompetente atje dhe atëherë kemi mundur të gjejmë motivin që e ka shtyrë Murselin për likuidimin e Liridona Ademajt. Derisa nuk i kemi pasur këto të dhëna për të krijuar një pasqyrë për marrëdhëniet familjare në mes tyre, nuk kemi ngritur aktakuzën. Të gjithë të përfshirët kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e veprës penale dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e kësaj vepre”, tha prokurorja.
Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.
Spote për zgjedhjet: