Arteta: Arsenali do të hyjë në afatin kalimtar

- Bota Sot

Arteta: Arsenali do të hyjë në afatin kalimtar

Mikel Arteta ka zbuluar se Arsenali është duke kërkuar në mënyrë aktive në merkaton e janarit pasi Gabriel Zhezus pësoi një dëmtim të rëndë në gju.

Sulmuesi braziliani u detyrua të largohej me barelë pas një përplasjeje me Bruno Fernandeshin në fund të pjesës së parë të ndeshjes së raundit të tretë të Kupës FA.

Tashmë është konfirmuar se ai ka një dëmtim të ligamentit të gjurit dhe ka të ngjarë të humbasë pjesën e mbetur të sezonit, duke i shtuar një tjetër dëmtim skuadrës së Artetës, i cili tashmë është pa yllin e sulmit, Bukajo Saka.

“Ne jemi duke kërkuar në mënyrë aktive në treg për të përmirësuar skuadrën.

Kështu ka qenë që nga dita e parë”, tha trajneri i Arsenalit në konferencën për shtyp përpara derbit të Londrës Veriore të ditës së sotme.

“Do të ishte naive të mos e bëja këtë. Është një mundësi për të përmirësuar skuadrën. Ne jemi duke kërkuar. Ne po përpiqemi. Le të shohim se çfarë mund të bëjmë”.

Lëndimi i Zhezusit e lë Arsenalin me vetëm një sulmues të skuadrës së parë në formë, me Kai Havercin i cili pritet të vazhdojë të luajë një rol kryesor në ekip. Sulmuesi gjerman shpërdoroi disa raste në humbjen ndaj Mançester Junajtid, duke vazhduar vuajtjet e tij dhe rrjedhimisht edhe të Arsenalit përpara portës.

Arteta pranoi gjithashtu se ai është i shqetësuar për seriozitetin e dëmtimit të Zhezusit. “Ne dimë më shumë tani dhe nuk duket aspak mirë. Por ne duhet të shqyrtojmë një specialist më shumë. Kështu që do të kemi më shumë informacion këtë pasdite”, shtoi shefi i “Topçinjve”.

“Nuk dua të konfirmoj asgjë derisa të kemi raportin përfundimtar këtë pasdite. Sot jemi shumë të shqetësuar”. Por më vonë Arsenali konfirmoi dëmtimin e ligamentit dhe lajmin se sulmuesi do t’i nënshtrohet një operacioni në gjurin e majtë. Një dëmtim i tillë kërkon rreth 9 muaj rikuperim.



Read it all at Bota Sot