Edhe pse Victor Da Silva shihej si përforcim i bujshëm i Vllaznisë së Shkodrës, braziliani megjithatë në pranverë do të luaj me fanellën e Shkëndijës së Tetovës, skuadër kjo që ka arritur të bind sulmuesin 30-vjeçar për të veshur fanellën “kuqezi”.
Siç mëson ekskluzivisht infosport.mk, braziliani kishte arritur akordin me ish skuadrën e tij, mirëpo një dënim tjetër nga FIFA i kishte bllokuar merkaton skuadrës shkodrane, ashtu që braziliani shumë shpejtë vendosi që ti bashkohet skuadrës tetovare.
Kujtojmë, Shkëndija edhe në të kaluarën e kishte kërkuar Victor Da Silvan, i cili në Shqipëri përveç me Vllazninë, kishte luajtur edhe me Partizanin e Tiranës, derisa së fundmi ishte pjesë e skuadrës së Nasaf Qarshi nga Uzbekistani.
Ndryshe, Da Silva hapat e parë me futbollin që në moshë të re i kishte bërë në vendlindjen e tij me skuadrën e Sao Caetanos, ndërsa që në moshën 15-vjeçare kishte migruar drejt Italisë, për tu bashkuar me Kievon U17.
Në vitin 2015-të Da Silva për herë të parë në Itali luajti tek seniorët me skuadrën e Peskara, për të luajtur më pas edhe me Breshën, Peruxhën, si dhe shumë skuadra tjera nga kategoritë e ndryshme, ndërsa një periudhë të shkurtër gjatë kohës kur luante në Itali, i njëjti kishte provuar veten të luaj në formë huazimi te skuadra kroate e NK Istra.
Shtatori i vitit 2020 e solli atë në Shqipëri, më saktësisht te Vllaznia e Shkodrës si agjent i lirë. Te skuadra shkodrane Da Silva kishte qëndruar për gati dy vite, duke zhvilluar 63 ndeshje dhe duke realizuar 14 gola. Ai me skuadrën nga Shkodra për dy vite rradhazi fitoi Kupën e Shqipërisë, ndërsa kjo bëri që ai të transferohet në Qipro, te skuadra e Olympiakos Nicosia.
Mirëpo te kjo e fundit, Da Silva nuk arriti të bind fare, ashtu që vetëm pas 4 muajve, gushtin e vitit 2022 u rikthye sërish në Shqipëri, këtë herë duke veshur fanellën e Partizanit të Tiranës.
Me “Demat e Kuq”, Da Silva shkroi sërish histori, duke u shpallur kampion i Shqipërisë për sezonin 2022/23. Një gjë të tillë braziliani përsëriti edhe edicionin e kaluar, 2023/24, kur me skuadrën e Nasaf Qarshi u shpall kampion i Uzbeksitanit. Me këtë skuadër, Da Silva kishte fituar edhe trofeun e SuperKupës, që ishte gjithsej i 5-ti në kategorinë e seniorëve.
I njëjti vlen të theksohet se gjatë sezonit 2013/14 ishte shpallur kampion me Kievon në kategorinë e të rinjëve, ndërsa po me këtë skuadër atë vit ishte shpallur edhe si golashënuesi më i mirë në ligën Primavera, me 19 gola të shënuar.
Janë këto të dhënat statistikore që “infOSport.mk” arriti ti sigurojë për transferimin e dytë të Shkëndijës në këtë merkato, Victor Da Silva, i cili nesër pritet që të prezantohet me fanellën “kuqezi”.