Aksion i Krimeve Ekonomike: Kapen dy persona që përfituan kundërligjshëm paratë e skemave pensionale

- Gazeta e Prizrenit

Aksion i Krimeve Ekonomike: Kapen dy persona që përfituan kundërligjshëm paratë e skemave pensionale

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka zhvilluar një aksion, me ç’rast janë kontrolluar tri lokacione të ndryshme në Pejë, nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim të detyrës zyrtare“ dhe “Lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”, raporton Gazeta Sinjali.

Policia e Kosovës hetimet për këtë rast i kishte filluar nga muaji korrik të vitit të kaluar me autorizim të Prokurorisë Themelore Pejë, me ç’rast janë aplikuar masat e veçanta të hetimit.

Dy persona të dyshuar në këtë rast, dyshohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete kanë keqpërdorur kartelat bankare të disa personave dhe ua kanë tërhequr mjetet e përfituara nga skema pensionale.

Tërheqja e parave dyshohet se ka ndodhur në vazhdimësi për disa muaj.

Gjatë kontrollit të lokacioneve janë gjetur dhe janë sekuestruar dëshmi gjashtë kartela bankare në emër të personave të tjerë, një telefon dhe dokumentacion me rëndësi për procedurat hetimore.

Gjithashtu janë gjetur dy armë zjarri, një AK-47 dhe një armë e shkurtër për të cilat pas konsultimit me prokurorin e rastit është iniciuar rast i veçantë.

Personat e dyshuar janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje deri 48 orë.



Read it all at Gazeta e Prizrenit