Viti nis me telashe për federatat sportive në Shqipëri

- Bota Sot

Viti nis me telashe për federatat sportive në Shqipëri

Vit i ri, probleme të vjetra për komunitetin e shumësportëshit në Shqipëri, më konkretisht gjithçka ka të bëjë me buxhetin vjetor që akordon qeveria për federatat sportive.

Ashtu sikurse ndodh prej disa vitesh, edhe këtë herë jemi sërish në të njëjtën situatë, teksa vonesat me lëvrimin e fondit grand po shkaktojnë një kaos të vërtetë.

Ndonëse po i drejtohemi fundit të janarit, me aktivitetet që vijojnë si në arenën kombëtare edhe në atë ndërkombëtare, federatat sportive, jo vetëm që po futen në aktivitete pa e marrë ende buxhetin për vitin 2025, por gjithashtu nuk dinë as vlerën që do të përfitojnë për të përballuar vitin.

Pra, askush nuk di shumën e parave që do të ketë përballuar një sezon me aktivitete nga më të ndryshme në vend dhe jashtë, gjë që sjellë një problematikë të jashtëzakonshme për të bërë llogaritë dhe për të vendosur prioritet se në cilat gara duhet shkuar dhe cilat duhen anashkaluar për çështje lekësh. Një telash i madh organizativ, i cili përsëritet çdo vit, i dirigjuar dhe orkestruar nga institucioni përgjegjës, Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Ndërkohë, përveç vonesave në kalimin e buxhetit, urojmë që këtë herë nga MAS të mos përsëritet skandali që ka të bëjë me mungesën e transparencës. Në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit pasqyrimi i fundit mbi ndarjen e fondit grand i përket vitit 2021, ndërsa pas këtij viti gjithnjë është luajtur pisët nga ana e ministrisë, duke mos u treguar transparente për ndarjen e lekëve të taksapaguesve shqiptarë, para me të cilat financohet sporti.

Në disa raste, pas kërkesave të adresuara në ministri, gazeta “Panorama Sport” ka arritur ta sigurojë tabelën e plotë me shumat vjetore të parave për secilën federatë. Por në vitin e kaluar, MAS zgjodhi mos ta publikojë këtë tabelë, duke mbajtur gjithçka sekret. Një mungesë transparence, e cila i shtoi edhe më shumë dyshimet për një ndarje të padrejtë të buxhetit.



Read it all at Bota Sot