Gjilani barazon ndaj klubit nga Kazakistani

- Bota Sot

Gjilani barazon ndaj klubit nga Kazakistani

Është mbyllur me rezultatin e barabartë dueli miqësor përballë skuadrës Elimai nga Kazakistani (1-1).

Fraksioni i parë i ndeshjes u mbyll me epërsinë minimale të “kuqebardhëve” pas golit të realizuar në fundin e pjesës së parë nga sulmuesi Senad Jaroviq.

Ndeshja nisi me ritëm dhe raste për shënim nga të besuarit e Ardian Nuhiut, teksa mundësi shënimi u treguan për Edi Basan, Oltion Bilallin dhe Senad Jaroviq.

Megjithatë, goli erdhi në fundin e pjesës së parë, pas një aksioni model të nisur nga vetë Jaroviq përmes Edi Basa, Armend Thaqit dhe Kushtrim Shabanit, ky i fundit asistoi për sulmuesin boshnjak, i cili e dërgoi topin me lehtësi drejt rrjetës (0-1).

Në pjesën e dytë të lojës, stafi provoi gjithë futbollistët duke ndryshuar gjithë përbërjen, teksa u dhanë minuta edhe për të rinjtë e skuadrës.

Blerind Morina kishte mundësi ideale për të shënuar, teksa goditi shtyllën pingule në minutën e 70-të të ndeshjes. Paraprakisht, dy minuta më parë ‘gardiani’ Rrezon Matoshi bëri një intervenim fantastik duke shpëtuar skuadrën pas një mundësie të mirë shënimi për skuadrën kazake.

Deri në fundin e ndeshjes ekipi humbi përqendrimin dhe tetë minuta para se të mbyllej takimi pësuan gol, me rezultatin i cili mbeti final deri në fund (1-1).

Kjo ishte miqësorja e dytë në tokën turke për skuadrën e Gjilanit, derisa edhe dy të tjera janë në program më 25 dhe 28.



Read it all at Bota Sot