E bujshme nga Franca

- Bota Sot

E bujshme nga Franca

Një lajm i bujshëm është publikuar nga Franca sa i përket të ardhmes së Tiago Motës në stolin bardhezi.

“L’Equipe” ka bërë publik një lajm ku drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” kanë kontaktuar ishtrajnerin e Barcelonës, Ksavin për të marrë drejtimin e stolit bardhezi. Madje në Francë janë të sigurt për këtë gjë.

Ksavi është larguar nga Barcelona në fundin e sezonit të kaluar dhe aktualisht është pa skuadër. 45-vjeçari në muajt e mëparshëm është kontaktuar edhe nga Milani, përpara se Konseisao të merrte drejtimin e stolit kuqezi në vend të të larguarit Fonseka.

HUMBJA ME NAPOLIN- Lajmet mbi Xavin janë bërë publike pikërisht pas humbjes që Juventusi i Tiago Motës pësoi nga Napoli. Rezultati, por edhe paraqitja e bardhezinjve duket se ka bindur drejtuesit bardhezi që zgjedhja e Tiago Motës në krye të stolit nuk ka qenë ajo e duhura. Drejtuesit mendojnë se projekti që kanë planifikuar në fillim të sezonit është duke bërë hapa pas dhe nuk po i arrin pritshmëritë.

KONFIRMIMI- Publikisht, Mota nuk është vënë kurrë në dyshim nga Xhuntoli. Madje, ky i fundit gjithmonë i ka dalë në mbrojtje trajnerit, duke e konfirmuar pas çdo rezultati zhgënjyes. Megjithatë, situata mund të ndryshojë dhe gjithçka mund të përmbyset. Ajo që mediat ende nuk po e raportojnë si të sigurt është nëse Juventusi do ta largojë që tani Tiago Motën apo në fund të sezonit. Shanset më të larta janë që Mota të largohet në fund të sezonit, aty ku çelësat e projektit do t’i marrë Ksavi.

ALTERNATIVAT- Nuk është rastësi që “L’Equipe gjithashtu nënvizon se sondazhi i “Zonjës së Vjetër” nuk ka detyrimisht një synim të menjëhershëm, por synon edhe të ardhmen.

Gjithmonë me synimin për të ardhmen, vëmendje i kushtohet edhe profilit të Gasperinit, i cili vlerësohet shumë nga drejtuesit aktualë të Juventusit. 67-vjeçari, i rritur në ambientet bardhezi, ende nuk e ka rinovuar zyrtarisht kontratën me Atalantën, e cila skadon më 30 qershor 2025. Megjithatë, pas shumë zërave, Tiago Mota duhet të tregojë se mund t’ia dalë te Juventusi, pasi emrat për ta zëvendësuar nuk mungojnë.



Read it all at Bota Sot