Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka zbuluar se disa lojtarë të talentuar në Europë, nuk i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për t’ju bashkuar Shqipërisë.
Presidenti Duka përmend Brajan Grudën, Roko Varën, Luis Hasën dhe Arijon Ibrahimoviç, duke thënë se kontaktet me ata kanë qenë të pasuksesshme.
Turi i Silvinjos në Europë. A ka ndonje emër të ri? Gruda, Roko Vata? “Politika jonë është të afrojmë çdo lloj futbollisti, edhe pse ndonjëherë kjo na bie ndesh me Federatën e Kosovës. Ne i kemi dyert e hapura për çdo shqiptar që luan futboll, pavarësisht se ku jeton apo ka jetuar ai. Ka shumë futbollistë që vetëofrohen në mosha të ndryshme për të luajtur me Kombëtaren, por ka edhe pak nga ata që ne kërkojmë t’i bindim për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar.
Një prej tyre është Gruda, i cili ka luajtur me ekipet e moshave të Gjermanisë, kemi kërkuar që t’i bashkohet Shqipërisë, por nuk ka një përgjigje pozitive në këtë moment, por gjithsesi ne mbetemi të hapur që ai të jetë futbollist i Kombëtares shqiptare. E njëjta gjë vlen edhe për futbollistët e tjerë, Vata, Hasa, Ibrahimoviç, të cilët kanë kualitet për të qenë pjesë e ekipit Kombëtar. Nuk kemi qenë të suksesshëm me këto emra që përmenda. I kemi kontaktuar, duke nisur nga unë personalisht, bashkë me stafin administrativ e teknik, Silvinjo etj, por pa sukses.
Ka edhe emra të tjerë, më të rinj, disa janë bashkuar me ekipeve tona. Një talent shumë i madh për mua, që luan për moshat e Bayern, Yll Gashi, është potencial për Shqipërinë. Ivan Balliu është shumë i lumtur që ka vendosur të luajë për Kombëtaren e Shqipërisë dhe mendoj se është vendimi më i drejtë që ka marrë në karrierën e tij. Unë në të gjitha takimet që kam bërë me prindër apo futbolistë, u kam thënë të njëjtën gjë: Nëse do të merrni vendim për të luajtur me Shqipërinë do të bëni gjënë e duhur, dhe këtë nuk e them nga pozicioni i presidentit të Federatës, por edhe nëse do të isha prind vetë”, u shpreh Duka në “A2 CNN”.