Luis Enrique: Nuk jam te PSG për të spekuluar

- Bota Sot

Luis Enrique: Nuk jam te PSG për të spekuluar

Në konferencën për shtyp, në prag të ndeshjes ndaj Stuttgartit, e vlefshme për xhiron e fundit të grupeve të Champions League, trajneri i PSG-së, Luis Enrique, ka shprehur pritshmëritë për sfidën e sotme:

"Është ndeshja e fundit e fazës së grupeve dhe mendoj se jemi gati. Champions League është motivim për të gjithë ekipin. Sipas meje, duhet të luajmë gjithmonë njësoj dhe të jemi gati që nga minutat e para. E kemi bërë këtë gjatë sezonit dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë".

Rreziku i zhgënjimit kundër Stuttgartit: "Jam po aq i qetë sa për çdo ndeshje të Champions League, që do të thotë se niveli im i qetësisë është zero. Jam gati për këtë kompeticion dhe për këtë format të ri, që sjell shumë surpriza. Po ashtu, jam gati të përballem me një kundërshtar që luan futboll shumë të mirë".

Çfarë vlere ka fituar skuadra pas fitores kundër Manchester City: "Unë kam një opinion të ndryshëm nga ju. Ju e shikoni gjithçka përmes rezultateve, por unë jo. Në çdo ndeshje në shtëpi kemi merituar të fitojmë. Na ka munguar efikasiteti para portës, por ka pasur vazhdimësi që u konkretizua në ndeshjen e fundit".

A do të luajnë parizienët për barazim: "Eksperienca më ka mësuar që kur rezultati varet nga faktorë jashtë fushës, ambicia dhe përkushtimi në lojë nuk janë të njëjtët. Nuk jam këtu për këtë, nuk dua të spekuloj. Do të kërkojmë ta fitojmë ndeshjen dhe të përmirësojmë numrin e pikëve që kemi, për të përmirësuar pozicionin tonë në renditje".

Metoda Luis Enrique dhe konkurrenca te PSG: "Ekipi që kemi duhet të përparojë në çdo fazë. Konkurrenca është jetike për të pasur një skuadër të shëndetshme. Një ekip që konkurron më mirë, luan më mirë. Kam mbështetjen e drejtimit sportiv, stafit dhe lojtarëve. Që nga viti i kaluar, qëllimi ynë është të krijojmë një ekip më të mirë".

Rreziku nga euforia: "Kur një lojtar luan për PSG-në, presioni është në çdo ndeshje dhe çdo ditë. Të gjithë lojtarët e dinë që ende nuk kemi arritur asgjë dhe se duhet të fitojmë për të konfirmuar kualifikimin. Kjo ndeshje trajtohet si të gjitha të tjerat, nuk kemi pasur ndonjë përgatitje të veçantë.

Synimi im është që të punojmë për të shkuar deri në fund të këtij kompeticioni. Ndonjëherë nuk duhet t’i motivoj lojtarët, por t’i qetësoj. Presioni është i rëndësishëm, e shoh si një vlerë".



Read it all at Bota Sot