Gjykata Themelore në Gjakovë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Dedë Lleshit, për akuzën se më 12 korrik 2003 në Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N.
Në këtë rast, Dedë Lleshi i cili është ekstraduar nga SHBA-ja, akuzohej se më 12 korrik 2003 në Raçë të Gjakovës, ka privuar nga jeta N.N., (47-vjeçar), duke shtënë 28 herë në drejtim të tij. Vrasja thuhet se ndodhi pasi tani i ndjeri ia kishte vrarë babanë tani të akuzuarit para 12 vitesh, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Aktgjykimi ndaj Lleshit u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, Ilir Rashkaj.
Gjykatësi Rashkaj tha se në mungesë të provave në bazë të të cilave do të vërtetohej se i akuzuari ka kryer veprën penale, Gjykata ka marrë aktgjykim lirues.
Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.
Kundër këtij aktgjykimit, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh në Gjykatën e Apelit.
Në shpallje të aktgjykimit nuk ishte i pranishëm i akuzuari.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë të ngritur më 18 prill 2024, Dedë Lleshi akuzohej se më 12 korrik 2003, në fshatin Raçë të Komunës së Gjakovës, në afërsi të dyqanit “V-Shala”, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin N.N., (47-vjeçar). Rasti thuhet se ka ndodhur për shkak të vrasjes së babait të tij P.Ll., të cilin para 12 vitesh e ka privuar nga jeta N.N,.Në aktakuzë thuhet se ditën kritike, tani i pandehuri Lleshi shkon në vendin e lartcekur me veturën e tij, duke i përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit N., kur ky i fundit ka hyrë në dyqan për të blerë gjëra ushqimore, i pandehuri Lleshi e pret, me të vërejtur se del nga dyqani, prej një afërsie shtie në drejtim të tij 28 herë në pjesë të ndryshme të trupit.
Aktakuza thotë se edhe kur viktima bie në tokë, i pandehuri Dedë, përsëri shtie në drejtim të kokës së viktimës, duke ia dëmtuar në tërësi pjësën e majtë të fytyrës, po ashtu duke i shkaktuar plagë të shumta me armë në kokë, gjoks dhe gjymtyrë, e nga plagët e marra nga viktima ka mbetur i vdekur në vendin e ngjarjes.
Për këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Vrasje” nga neni 30, par.2 pika 3 të LPK-së.
Në arsyetimin e aktakuzës, thuhet se i pandehuri Dedë Lleshi, nga koha e kryerjes së veprës penale ka qenë në arrati. Ai është arrestuar me urdhërarrest ndërkombëtar dhe është ekstraduar nga SHBA në Kosovë. Në aktakuzë thuhet se më 7 shkurt 2024, nga ana e zyrtarëve policorë janë njoftuar se i pandehuri Lleshi, është ekstraduar nga SHBA, dhe është sjellë në Aeroportin e Prishtinës, e më pas në ndalim në Stacionin policor në Gjakovë.
Aty thuhet se pasi i akuzuari ka qenë më parë në arrati, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 8 shkurt 2024 kishte marrë aktvendim për rifillim të hetimeve për vrasje e armëmbajtje pa leje, në lidhje me vrasjen e cila ka ndodhur në vitin 2003 dhe është paraqitur kërkesa për paraburgim. Më pas, të njëjtit iu caktua masa e paraburgimit.
Sipas aktakuzës, gjatë procedurës hetimore është vërtetuar në tërësi se i pandehuri Dedë Lleshi, ka kryer veprën penale “Vrasje”, ndërsa sa i përket veprës penale “Mbajtja pa autorizim i armëve dhe municionit” nga neni 8, par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7, ka ardhur në përfundim se ka kaluar afati absolut i parashkrimit të ndjekjes penale, pasi kanë kaluar më shumë se 20 vjet nga koha e kryerjes së veprës penale.
“…andaj duke u gjendur në këto rrethana dhe faktet e lartpërmendura, kemi marrë Aktvendim për pushimi e pjesërishëm të hetimeve, ndaj të pandehurit Dedë Lleshi, për shkak të veprës penale Mbajtja pa autorizim të armëvve dhe municionit nga neni 8 par.8.5 lidhur me par.8.3 të rregullores të UNMIK-ut 2001/7″, thuhet në aktakuzë.