Nëse Silvinjo do të ketë një alternativë më shumë për në muajin mars, padyshim që deri tani një opsion tepër i mundshëm është edhe rikthimi i Anis Mehmetit.
Anësori po kalon një formë të mirë me Bristolin në Championship-in anglez dhe pak kohë më parë, stafi teknik i Kombëtares shkoi dhe e takoi nga afër 24-vjeçarin dhe konsumoi një bisedë me të në lidhje me qasjen e tij dhe konsideratën për ta rikthyer në skuadër. Vazhdimësia që Mehmeti ka në këtë sezon, duke shënuar 11 gola deri tani dhe duke asistuar disa herë, i rrisin shanset për një grumbullim në dy ndeshjet e para kualifikuese që kuqezinjtë do të luajnë, me Anglinë dhe Andorrën, pavarësisht se konkurrenca në krah është e lartë, duke përmendur emra si: Bajrami, Hoxha apo Muçi.
Paraqitje e së mërkurës ishte mbresëlënëse për Anisin që shënoi një dopietë dhe për BBC u shpreh se në cilat situata ai është më i rrezikshëm:
“Sa i përket lojës sime, ajo është gjithëpërfshirëse, unë mund të jem më shumë kërcënim në situatat një kundër një. Lloji i djalit që jam, kur gjithçka shkon mirë për mua, shikoj përpara dhe mezi pres të vij ndeshja e radhës, ndërkohë kur gjërat nuk shkojnë mirë, unë e përjetoj shumë diçka të tillë”, thotë fillimisht Mehmeti i cili është nën kontratë me Bristol Sitin deri në verën e vitit 2026.
SHIFRA DOPIO Duke qenë se anësori ka arritur të shënojë 11 gola, ai shpreson që këtë shifër ta çojë edhe më shumë: “Unë jam duke bërë përpjekje për të rritur këto shifra tani dhe të bëj sa gola të mundem, por edhe për të dhënë asistime, gjë që mendoj se duhet ta bëj. Mes golit të parë dhe të dytë, zgjedh atë të parin pasi janë ata që nuk i kam shënuar gjithmonë më parë. Bëhet fjalë për të qenë në vendin e duhur. Dua ta arrij sa më shumë gola deri në fund të sezonit”, përfundoi Anis Mehmeti.