Një grua ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, pasi dyshohet se është goditur me veturë nga ish-bashkëshorti i saj në Ferizaj.
Policia ka njoftuar se i dyshuari e ka ndjekur viktimën, e cila po ashtu ishte duke vozitur, derisa e ka goditur pranë sheshit “Adem Jashari” në këtë komunë.
“Si pasojë, viktima ka pësuar lëndime trupore. Pas tretmanit mjekësor fillestar në Ferizaj ajo është dërguar për trajtim të mëtejshëm në QKUK – Prishtinë. Për pasojë, në të dy automjetet janë shkaktuar dëme materiale”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë, Kanun Veseli.
Rasti është cilësuar si “Lëndim i rëndë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa ndihmë mjekësore ju ka ofruar edhe të dyshuarit./IO