Dënohet me 14 vjet burgim i akuzuari për vrasjen me thikë në Mitrovicë

- Bota Sot

Dënohet me 14 vjet burgim i akuzuari për vrasjen me thikë në Mitrovicë

Mitrovicë – Gjykata Themelore në Mitrovicë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Kemal Mustafa, duke e dënuar me 14 vjet burgim për vrasjen e S.M., më 2023 në Mitrovicë.

Aktgjykimi dënues ndaj të akuzuarit Mustafa është shpallur të enjten nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Fatos Sejdijaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas aktgjykimit, gjykata ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “Vrasje e rëndë” nga neni 174, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, në “Vrasje” nga neni 172 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të akuzuarit Mustafa për veprën penale “Vrasje” iu shqiptua dënim në kohëzgjatje prej 14 vitesh burgim.

Në dënimin me burgim, të akuzuarit Mustafa do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Po ashtu, të akuzuarit Mustafa gjykata ia vazhdoi masën e paraburgimit derisa aktgjykimi të bëhet i formës së prerë.

Gjithashtu, sipas aktgjykimit, i njëjti obligohet që t’i paguajë shpenzimet e procedurës gjyqësore në vlerë prej 520 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro dhe 50 euro të tjera në emër të fondit për viktimat e krimit.

Në shpallje të aktgjykimit u bë e ditur se është konfiskuar thika, me të cilën është kryer vepra penale dhe e njëjta është urdhëruar që të shkatërrohet.

Gjykata palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore- juridike i udhëzoi në kontest civil.

Ndryshe, të pranishëm në shpallje ishin prokurorja e rastit Fetije Bajrami, i akuzuari Kemal Mustafa  dhe mbrojtësi i tij, avokati Rexhep Kaçaniku, dhe përfaqësuesja e tani të ndjerit S.M., – e dëmtuara R.S.M.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 9 shtator 2024 kishte ngritur aktakuzë kundër Kemal Mustafës, të cilin e ngarkon se më 11 gusht 2023, rreth orës 23:29 deri në 23:45, në rrugën “UÇK” në lagjen Bair, Mitrovicë, brenda oborrit të spitalit rajonal, me qëllim që ta privojë nga jeta S.M., e goditi me thikë dhe i shkaktoi vdekjen.

Në aktakuzë thuhet se derisa i pandehuri Mustafa kishte qenë së bashku me djalin e tij të mitur A.K., duke mbledhur kanaçe nëpër kontejnerë të bërllokut, tani i ndjeri S.M., e kishte ndalur automjetin dhe e kishte thirrur të pandehurin Mustafa, dhe i kishte thënë që të shkojë në automjetin e tij për t’ia dhënë disa shishe dhe disa gjëra, ku më pas i pandehuri Mustafa kishte hyrë në automjet të tani të ndjerit S.M., dhe kishin shkuar në lagjen Bair dhe kishin hyrë në oborrin e spitalit, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte pyetur tani të ndjerin se pse e kishte dërguar aty, i njëjti thuhet se i kishte thënë që të zhvishet për të kryer marrëdhënie seksuale.

Sipas aktakuzës, thuhet se i pandehuri Mustafa kishte refuzuar të kryente marrëdhënie me tani të ndjerin, i cili kishte vazhduar të insistonte dhe e kishte goditur me grusht të pandehurin, ndërsa i pandehuri Mustafa e kishte sulmuar viktimën me thikë 33 herë në trup, duke i shkaktuar plagë si pasojë e të cilave kishte vdekur, në bazë të ekspertizës së autopsisë për tani të ndjerin.

Me këtë, Mustafa akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, paragrafi 1, pika 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.



Read it all at Bota Sot