Kështu do të dukej qeverisja VV-NISMA, posti i mundshëm për Limajn

- Gazeta e Prizrenit

Kështu do të dukej qeverisja VV-NISMA, posti i mundshëm për Limajn

Një skenar i një qeverie me numra shumicë por që nuk do të adresonte çështjen e presidencës, është skenari më i mundshëm për qeverinë e re, kanë bërë të ditur për Gazetën 10, burime të afërta me kryeministrin Kurti.

Si rezultat i kësaj, koalicioni me Nismën e Fatmir Limajt është skenari më i përfolur për qeverinë e re.
Deri më tash Nisma ka tre deputetë, gjersa Lëvizja Vetëvendosje ka 47.

Ulëse në Kuvendin e Kosovës pritet që të fitojë edhe Nenad Rashiq, i cili është bashkëpunëtorë aktual i kryeministrit Albin Kurti ose në një skenar tjetër VV pret 48 deputetë.

Kësisoj ky koalicion bëhet i mundshëm sepse do të ketë shumicën e thjeshtë prej 61 deputetë pa listën serbe, por duke numëruar edhe votat e 10 deputetëve nga komunitetet tjera jo shumicë.

Të njëjtat burime kanë shpjeguar se në rast të koalicionit VV-NISMA, Fatmir Limaj do të bëhej kryetar i Kuvendit, meqë është esenciale që ai dhe deputetët e tij t’i ruajnë ulëset në Kuvendin e Kosovës.

Në të njëjtin skenar, Gazeta10 ka mësuar se Glauk Konjufca do të emërohej Ministër i Punëve të Jashtme, ndërsa Donika Gërvalla do të mbetej vetëm zëvendëskryeministre.

Ndërkohë nga qeverisja aktuale, mësohet që ne qeverinë e re, Kurti do t’i mbaj ministra vetëm Hekuran Muratin e Faton Pecin, si dy ministrat më të votuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kreu i Nismës, Fatmir Limaj është lideri i vetëm nga partitë opozitare që ka shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me partinë më të madhe, Lëvizjen Vetëvendosje.

Limaj është shprehur se është i gatshëm të bashkëpunojë me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, si dhe me çdo qeveri të ardhshme, për sa kohë që ky bashkëpunim është në interes të Kosovës.

Kujtojmë se Nisma e Fatmir Limajt në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte garuar bashkë me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). /GAZETA10/



Read it all at Gazeta e Prizrenit