Më 20 shkurt kujtojmë përvjetorin e rrëzimit të përmendores së diktatorit Enver Hoxha në Tiranë, që shënoi mbarimin e regjimit diktatorial komunist ateist në Shqipëri.
Data 20 shkurt 1991 për Shqipërinë do të mbetet ndër datat më domethënëse të historisë së vet të mundimshme. Atë ditë, pas një demonstrate masive të studentëve, mbështetur fuqishëm nga populli, u rrëzua monumenti i Enver Hoxhës i vendosur në qendër të Tiranës dhe u përurua periudha e lirisë nga ideologjia e regjimi që e persekutoi, e varfëroi, e vrau popullin dhe shkatërroi e shkretoi vendin e vet me një brutalitet e pashpirtësi të paparë ndonjëherë. Edhe sot, mbi popullin shqiptar rëndojnë pasojat e tij negative.
Ata, që atë ditë të 20 shkurtit 1991 ishin në sheshin “Skënderbej” të Tiranës, nuk mund të mos e kujtojnë përshtypjen që bëri oshëtima e shurdhët e shtatores së diktatorit gjakatar, që binte përdhe dhe habinë, kur u pa se brenda ajo ishte bosh, ashtu si ideologjia e indoktrinimit bosh, që regjimi komunist përhapi me terror për vite të tëra. Për të mos harruar atë çka përjetuan shqiptarët gjatë diktaturës enveriste të komunizmit ateist, vite më parë, në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, u hap Pavijoni i Terrorit Komunist, ku ekspozohen fotografi, dokumente, objekte personale të të burgosurve, të të pushkatuarve e të të internuarve, me të dhëna tronditëse për ata, që humbën edhe jetën në burgjet e komunizmit.
Shkrimtari Aleksandr Solzhenitsyn, i cili fitoi çmimin Nobel për Letërsi në 1970 dhe u dëbua nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1974 shkruante: “Një regjim që emrin e Zotit e shkruan me germë të vogël e KGB apo SIGURIMI me germa të mëdha, nuk meriton të respektohet prej njerëzve”. Ndaj kurrë nuk duhen harruar krimet, terrori, përndjekjet, viktimat, gjaku i pafajshëm që u derdh, për të mos lejuar të përsëritet një e keqe kaq e tmerrshme, siç qe regjimi komunist.
NGJARJA
Më 20 shkurt të vitit 1991 dhjetëra-mijëra studentë e qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, monumentin e diktatorit Enver Hoxha, i cili ishte i vendosur në qendër të Tiranës. Më 18 shkurt 1991, studentë të Universitetit të Tiranës, që në atë kohë mbante emrin e diktatorit, hynë në grevë urie. Në 20 shkurt të vitit 1991, pas protestave disajavore të studentëve dhe ditët e fundit me grevë urie, qytetarët e Tiranës u bashkuan në një protestë madhështore, e cila u finalizua me rrëzimin e monumentit të diktatorit Enver Hoxha. Data 20 shkurt e vitit 1991 shënoi fundin e regjimit komunist në Shqipëri. Një nga kavot që u përdor për të tërhequr monumentin, gjendet i ekspozuar në Pavijonin e Terrorit Komunist, pranë Muzeut Historik Kombëtar.
Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri. Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës. Kësisoj 20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist. Kjo shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri. Pamjet e atij momenti në sheshin “Skënderbej” bënë xhiron e botës dhe e vunë edhe një herë Shqipërinë në fokus të zhvillimeve ndërkombëtare.
DEKRETI
Demonstratat antikomuniste që filluan në Shqipëri në dhjetor të vitit 1990 u bënë të pandalshme derisa sollën edhe përmbysjen e regjimit 50 vjeçar komunist. Lëvizja studentore antikomuniste në Shqipëri filloi më 8 dhjetor 1990, udhëhequr nga lideri i saj Azem Hajdari, për të vazhduar disa ditë me radhë, derisa kjo lëvizje solli edhe shpalljen e pluralizmit politik në Shqipëri. Por shpallja e pluralizmit ishte vetëm njëra fitore e kësaj lëvizjeje, pasi demonstratës së studenteve të Lëvizjes së Dhjetorit 1990 iu shtuan edhe qytetarët e vendit, të cilët e kuptuan rrugën pa kthim të ndryshimit të regjimit politik në vend. Dhe një nga ditët më kulmore të kësaj lëvizje do të ishte pikërisht rrëzimi i shtatores së diktatorit Enver Hoxha që ishte vendosur në qendër të Tiranës. Shtatorja u rrëzua gjatë një demonstrate popullore më 20 shkurt 1991. Kjo ngjarje erdhi pas zhvillimeve të rëndësishme politike që kishin ndodhur në dhjetor 1990 kur përmes protestave studentore të pasuara nga protesta e shumicës së shqiptarëve, u rrëzua sistemi komunist.
Shpallja e pluralizmit politik, në dhjetor të vitit 1990, u pasua me themelimin e partive politike, të cilat përgatiteshin për të hyrë në garën e të parave zgjedhje pluraliste në Shqipëri, pas sundimit 45-vjeçar të diktaturës komuniste. Ditët e dhjetorit ‘90 dhe ato të muajve të parë të vitit 1991, ishin të ngjeshura me ngjarje mjaft të rëndësishme. Partia Demokratike nisi aktivizimin masiv me një miting në sheshin e Qytetit Studenti me 23 dhjetor 1990. Brenda pak ditësh u liruan nga burgu një grup prej 393 të dënuarish për arsye politike. Kuvendi Popullor doli me një dekret më 23 janar 1991 që parashikonte respektimin dhe mbrojtjen e monumenteve që lidhen me historinë kombëtare dhe simboleve shtetërore, ku përfshihej busti i Enver Hoxhës. Sipas dekretit, dënohej me 6 muaj deri në tre vjet burg ai shtetas që dhunonte monumente kulture, siç ata i quanin bustet e figurave të shquara, nga Skënderbeu e deri tek Enver Hoxha. Por kjo nuk i ndaloi mijëra studentë e qytetarë që të ngriheshin për të shembur simbolin e komunizmit, bustin e Enver Hoxhës.
DËNIMET
Data 20 shkurt 1991 kishte përqendruar vëmendjen e publikut shqiptar për zhvillimin e ngjarjeve në qytetin Tiranës. Ndërkaq, po këtë ditë u rrëzua edhe njëra nga tri shtatoret kryesore të Enver Hoxhës që ndodhej në qytetin e Korçës. Kjo shtatore ishte bërë për të treguar diktatorin në vitet e rinisë së tij. Me Korçën, atë e lidhnin dy pjesë të jetës së tij, koha e studimeve në vitet 1927-1930 në liceun francez të qytetit si dhe koha kur punonte mësues me kontratë i orës së edukatës morale, por edhe të kujdestarit të bibliotekës së këtij liceu në vitet 1937-1939. Krahasuar me dy shtatoret e tjera, ky i Korçës ishte më i përshtatshëm për t’u rrëzuar. Pranohet tashmë fakti se ai i Tiranës ishte në përmasë gjigande, ndërsa ai i Gjirokastrës në pozitë mbizotëruese dhe gati i palëvizshëm. Në ditën e ngjarjes, pra më 20 shkurt, ka qenë një mbledhje e Partisë Demokratike të rrethit e cila drejtohej në atë kohë nga Ilir Manushi. Të deleguar nga Tirana kanë qenë Genc Ruli dhe Rexhep Uka. Gjatë zhvillimit të aktivitetit është marrë vesh nga radioja rrëzimi i shtatores së E.Hoxhës në Tiranë. Kjo ka nxitur rininë dhe qytetarët e Korçës të tubohen e të rrëzojnë bronzin e diktatorit.
Si edhe në Tiranë, edhe në Korçë, bronzi i Hoxhës është tërhequr zvarrë. Mjerisht, për gjithë këto zhvillime nuk ka as fotografi e as pamje filmike. Manifestimi i Korçës ka qenë i fortë. Shtatorja e diktatorit është rrëzuar dhe nga qendra e qytetit është tërhequr zvarrë. Më tej nuk ka informacione se ç’është bërë me mbeturinat e saj. Regjimi ka arrestuar disa pjesëmarrës në ngjarje. Shtetasi Ilir Jano aktiv në këtë ngjarje nuk ka mundur të arrestohet pasi është arratisur. Të pandehurit akuzoheshin se kishin kryer vepra penale në shkelje të dekretit të manifestimeve dhe atij të mbrojtjes së monumenteve. Pa dashje gjykata i ka akuzuar të pandehurit edhe për agjitacion e propagandë. Kjo sepse të dy dekretet nuk kanë lidhje me agjitacionin si vepër penale. Gjykata vazhdonte arsyetimin e saj se në këtë manifestim kishin qenë edhe të pandehurit, se ishin përdorur “sharje, fjalë fyese dhe poshtërim kryesisht të figurës së Enver Hoxhës”.
Veprimet që çuan në rrëzimin e monumentit të Enver Hoxhës, gjykata i cilësonte “me rrezikshmëri të madhe shoqërore” dhe “ngjallje urrejtjeje” në masat e popullit. Gjykata e Rrethit Korçë, me vendimin nr.66, datë 2.3.1991 i deklaroi fajtorë dhe i dënoi 5 nga organizatorët. Pas një varg ngjarjesh që ishin shënuar në qytete të ndryshme të Shqipërisë, gjatë vitit 1990, me karakter protestues kundër regjimit komunist, protestat studentore, nisur më 8 dhjetor 1990, shënuan hapin vendimtar që çoi drejt përmbysjes së diktaturës. Protestat e para ishin shënuar që në janar 1990, në Tiranë, më tej në Kavajë, Shkodër, Elbasan e Durrës.
Ngjarjet e dhjetorit 1990, u pasuan më tej me përshkallëzim të protestave, në fillim të vitit 1991 dhe kulmuan pas grevës së urisë së një grupi studentësh, të cilët frymëzuan gjithë banorët e kryeqytetit, për t’u derdhur në rrugë e për të mësyrë sheshin “Skënderbej”. Mesdita e 20 shkurtit shënoi një prej akteve më domethënëse të përmbysjes së regjimit 45-vjeçar komunist, rrëzimin e shtatores së diktatorit Enver Hoxha. Enver Hoxha vdiq më 11 prill 1985 dhe e udhëhoqi Shqipërinë me dorë të hekurt për 40 vite me radhë. Pas vdekjes së tij pushteti komunist do të trashëgohej tek Ramiz Alia, por 6 vjet më vonë sistem komunist do të pushonte së ekzistuari në Shqipëri. 11 ditë pas rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, në Shqipëri do të mbaheshin edhe zgjedhjet e para pluraliste pas 50 vitesh diktaturë, më 31 mars 1991, ku përsëri u fituan nga Partia e Punës e Shqipërisë (trashëgimtarja e Partisë Komuniste të Shqipërisë). Aktiviteti i parlamentit të parë pluralist pas përmbysjes së regjimit komunist ishte i shkurtër, pasi vendi shkoj në zgjedhje të parakohshme më 22 mars 1992, zgjedhje këto që u fituan nga opozita e asaj kohe./Panorama