Në Itali, protagonistët e skandaleve të basteve që nga viti 1980 e deri te rastet e fundit të varësisë nga lojërat e fatit kanë pasur një fat më të lehtë. Në Kamerun, raste të tilla trajtohen me dorë të hekurt.
Sipas disa burimeve të cituara nga shtypi lokal, presidenti i Victoria United, një klub i divizionit të parë, ka rrëmbyer, mbajtur peng dhe torturuar për tri ditë portierin e tij, Djomeni Eric
Parfait.Valentin Kwain e ka akuzuar lojtarin për shitje ndeshjesh, duke vënë baste në platformën “1Xbet”.
Pasi e çoi përpara autoriteteve, të cilat nuk gjetën prova kundër tij, Kwain urdhëroi rrëmbimin e tij nga disa njerëz besnikë në qytetin Limbe, duke e mbajtur më pas në një vend të panjohur.
Denoncimin e ka bërë nëna e futbollistit, e cila, pasi kërkoi djalin e saj në zyrat e klubit, u dëbua brutalisht nga presidenti. Në mbështetje të lojtarit ka dalë edhe Unioni Kombëtar i Futbollistëve të Kamerunit (Synafoc).
“Drejtësi për Eric Parfait Djomeni! Portieri i ri i Victoria United është rrëmbyer, mbajtur peng dhe torturuar nga presidenti famëkeq i klubit të tij, Valentin Kwain. Eric Parfait Djomeni, ke gjithë mbështetjen time”, – ka shkruar Jacques Marcel Itiga Itiga, përgjegjës për komunikimin në sindikatën e futbollistëve kamerunas.