Mbrojtësi i Napolit, Alessandro Buongiorno, foli në një intervistë për “Radio CRC: mbi sezonin e tij me fanellën e kaltër:
“Dëmtimi im nuk ishte i lehtë, më është dashur të punoj shumë për t’u rikuperuar. Ishte e vështirë t’i shihja shokët e skuadrës nga shtëpia ose nga stoli, pa mundur t’i ndihmoja, por tani ndihem mirë dhe jam i lumtur që mund të jap kontribut për Napolin”.
Mbrojtja me tre lojtarë: “Stërvitemi çdo ditë së bashku me shokët e repartit mbrojtës dhe kemi një lidhje të fortë mes nesh, pavarësisht nëse luajmë me katër apo tre mbrojtës.
Sigurisht, ndryshojnë disa lëvizje, pozicionimet dhe presingu, por më e rëndësishmja është që skuadra të ketë shpirtin e duhur, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm, pavarësisht nga skema taktike. Unë jam gjithmonë i gatshëm për trajnerin, nuk kam një pozicion të preferuar në fushë, bëj atë që ai më kërkon. E rëndësishme është të punojmë fort së bashku dhe të gjejmë lëvizjet e duhura”.
Mbrojtja më e mirë: “Gjithmonë duhet të ketë përqendrim maksimal dhe gatishmëri nga të gjithë lojtarët në fazën mbrojtëse. Nuk më pëlqen të flas për mbrojtësit në mënyrë individuale, sepse mbrojtja është një proces ekipor. Çdo lojtar duhet të kontribuojë për ta mbrojtur portën e vet. Gjithçka nis nga kjo. Spinazzola dhe Olivera janë dy lojtarë shumë të rëndësishëm, jemi të lumtur që janë rikthyer të stërviten me grupin dhe pa dyshim do të na ndihmojnë. Pas ndeshjes me Comon duhet të përqendrohemi te supersfida ndaj Interit. Sekreti është të qëndrojmë të bashkuar dhe të punojmë shumë, që të jemi gati për të shtunën”.
Përballja direkte për titull: “Interi është një skuadër shumë e fortë, ndaj po përgatitemi si fizikisht, ashtu edhe taktikisht.
Po analizojmë videot dhe po përpiqemi t’i simulojmë situatat që mund të ndodhin në ndeshje, gjatë stërvitjeve. Çdo gjë varet nga përkushtimi ynë dhe sa të bashkuar do të jemi në fushë. Interi është rivali për t’u mposhtur, ata e nisën sezonin me synimin e qartë për ta fituar titullin dhe janë një skuadër shumë e fortë.
Ne duhet të mbajmë ritëm të lartë, të jemi gjithmonë të fokusuar dhe të luftojmë fort për t’i fituar duelet. Tifozët tanë mund të na japin një shtysë shtesë, jam i sigurt që do të na mbështesin, sepse kjo është një ndeshje shumë e rëndësishme. Mbështetja e tyre do të jetë thelbësore”.