Abraham ka punuar me të dy trajnerët

- Bota Sot

Abraham ka punuar me të dy trajnerët

Një sezon i vështirë, lidhja e fortë me Serie A dhe krahasimi mes Conceicao e Mourinho.

Këto ishin disa nga temat që Tammy Abraham trajtoi në një intervistë për “CBS Sports Golazo”. Sulmuesi anglez, i cili ka regjistruar 34 paraqitje dhe 8 gola këtë sezon, u përpoq të ngrejë moralin e Milanit për ndeshjet e ardhshme.

"Në futboll do të ketë gjithmonë ulje-ngritje, – tha Abraham, duke komentuar momentin e vështirë të Milanit pas dy humbjeve dhe eliminimit të dhimbshëm nga Champions League. – Çështja është si t’i përballojmë këto situata. Donim të luanim në një kompeticion të madh si Champions-i, por ndonjëherë fiton, ndonjëherë humbet.

Kjo është një mundësi për të mësuar dhe për t’u forcuar si ekip. Kemi ende mundësinë të fitojmë një trofe tjetër, po luftojmë që ta arrijmë këtë, përderisa e kemi si mundësi. Ky sezon ka qenë si një udhëtim në një park lojërash, me ulje dhe ngritje, por ne jemi ende këtu, gati për të luftuar. Jemi Milani, ndaj duhet të duam të fitojmë çdo trofe".

Prej katër vitesh në Itali, Abraham ka treguar një lidhje të fortë me Serie A. "Gjëja e parë që thashë kur mbërrita këtu ishte se kishte ardhur koha të hapja krahët dhe të provoja diçka ndryshe. Tani njerëzit po e kuptojnë se ka më shumë se të qëndrosh në zonën tënde të rehatisë.

Shumë lojtarë nga Anglia po vijnë në Serie A, sepse nuk kanë më frikë. Duan të provojnë diçka ndryshe. Nuk ka vend më të mirë se Italia për të mësuar kulturën dhe futbollin. Kur Walker më telefonoi, përgjigja ime ishte e qartë. I thashë sa i madh është ky klub, sa i mrekullueshëm është, dhe sa e mirë ka qenë përvoja ime deri tani. Nuk ishte një vendim i vështirë për të".

Abraham ka luajtur nën drejtimin e Mourinhos te Roma dhe tani të Conceicaos te Milani, ndaj bën një krahasim mes dy trajnerëve portugezë: "Duke luajtur për Mourinhon dhe Sergio Conceicao, mund të them se janë shumë të ngjashëm. Të dy besojnë vërtet në objektivat e tyre. Janë të motivuar, punëtorë të mëdhenj dhe gjithmonë duan më të mirën nga lojtarët e tyre.

Duan të kenë suksese, pavarësisht rrethanave. Si lojtarë kemi nevojë për këtë shtysë, për të dhënë maksimumin. Unë jam një fitues, dua të fitoj, sepse jeta është e shkurtër. Prandaj, duhet ta shijoni çdo moment, të luani gjithmonë me buzëqeshje. Unë po e jetoj ëndrrën time".



Read it all at Bota Sot