Zhënjimet e Arsenalit

- Bota Sot

Zhënjimet e Arsenalit

Mikel Arteta është ende i zhgënjyer me rezultatet e javëve të fundit në Premier Ligë, të cilat e kanë nxjerrë Arsenalin e tij nga një garë emocionuese për titull me Liverpulin.

Por sot është momenti për të kthyer faqen dhe ku ka më mirë sesa një ndeshje në Europë, në një kompeticion që i mungon historisë së tyre, si Liga e Kampioneve.

“Topçinjtë” udhëtuan dje drejt Eindhovenit për t’u përballur me PSV-në në ndeshjen e parë të 1/8-ave dhe tekniku spanjoll u kërkon lojtarëve të tij që të mos dorëzohen dhe të ruajnë besimin se sezoni mund të jetë ende i suksesshëm.

“Ishte shumë zhgënjyese të mos fitosh pas një paraqitjeje kaq dominuese në Notingem. Ne luajtëm shumë mirë në shumë aspekte të lojës, pa lëshuar asgjë. Me gjithë hapësirën dhe kontrollin që kishim në të tretën e fundit të fushës, duhet të kishim gjetur mënyrën për ta fituar. Tani kemi një ndeshje në Champions.

Ky ekip të jep gjithmonë arsye për të besuar, për të vazhduar. Ne duhet të gjejmë mënyra për të finalizuar me sukses më shumë raste. Kjo është diçka që sigurisht duhet ta përmirësojmë. PSV-ja është një shans. Ne po e presim me padurim. Liga e Kampioneve është një kompeticion që ne e kemi luajtur jashtëzakonisht mirë këtë sezon. Ne luftuam shumë për të arritur në këtë pozicion dhe tani, kur hyjmë në fazën me eliminim direkt, tani nis ndërtimi”.

Kai Haverc dhe Gabriel Zhezus nuk pritet të luajnë më për pjesën e mbetur të sezonit, por Bukajo Saka dhe Gabriel Martineli mund të rikthehen për çerekfinalen e muajit të ardhshëm, nëse londinezët do të kalojnë PSV-në.

Mungesa e katër sulmuesve është një faktor në dështimin e skuadrës për të shënuar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, kundër Uest Hemit dhe Notingemit: “E di që ajo që na mungon është ajo pjesa atje. Ka shumë për të luajtur dhe ne duhet të gjejmë zgjidhjet për ta zhbllokuar sulmin. Kemi Ligën e Kampioneve, një kompeticion të bukur përpara nesh dhe ne duhet të jemi gati për të martën”.



Read it all at Bota Sot