Pak minuta para nisjes së ndeshjes Feyenoord-Inter 0-2, e vlefshme për 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, presidenti zikaltër Beppe Marotta foli për “Sky Sport”, duke komentuar jo vetëm çështjet e sfidës në fjalë:
"Kualifikimi vendoset që sonte? Kjo është vetëm ndeshja e parë e një dueli që zgjat 180 minuta. Sigurisht, ta fillojmë mirë do të ishte një hap i rëndësishëm për ndeshjen e kthimit në ‘San Siro’. Jam optimist, pavarësisht mungesave. Trajneri ynë ka hedhur në fushë një skuadër konkurruese".
Sa i përket stadiumit, Marotta u shpreh: "Së shpejti, Interi dhe Milani do të paraqesin një propozim në bashki. Të dyja klubet kanë të drejtë të kenë një stadium modern. Kemi një hendek me ekipet e tjera europiane në këtë aspekt, ndaj pronarët tanë e konsiderojnë shumë të rëndësishëm investimin në stadium.
Pavarësisht ndryshimit të pronësisë, prania e ‘Oaktree’ është e rëndësishme, i lejon menaxhmentit dhe ekipit të punojnë me qetësi. Nuk kemi fituar ende asgjë, por jemi në një pozitë të mirë. Kemi ndërgjegjësimin se jemi të fortë në të gjitha garat”.