Etnik Brruti, futbollist i Malishevës dhe deri dje kapiten i Dardanëve për U21, ka vendosur të lërë Kosovën dhe të përfaqësojë Shqipërinë.
Vendimi i tij ka ngjallur mjaft debate këto dy ditë në Kosovë, ku shumë njerëz e kanë cilësuar edhe si “tradhtar”.
Babai i futbollistit ka bërë një reagim të fortë në rrjetet sociale, ku ka një koment për ata që e cilësojnë të birin “tradhtar” si dhe tregon arsyet pse la Kosovën për Shqipërinë.
“Tradhtarë janë të gjithë ata që i thonë tradhti mbrojtjes së flamurit të Adem Jasharit , Zahirit, Agimit e të gjithë dëshmorëve të rënë për liri!
Biri im ka marrë një vendim që buron nga bindjet e tij dhe dashuria për kombin.
Ai nuk e ka refuzuar Kosovën, por ka zgjedhur të luajë për kombëtaren Shqiptare, për flamurin me të cilin i kemi mbështjellë dëshmorët tanë.
Kjo nuk është tradhti, por besnikëri ndaj idealit për të cilin kemi luftuar.
Të gjithë ata që sot e gjykojnë duhet ta dinë se askush nuk mund të na japë leksione për atdhedashuri dhe sakrificë për Kosovën.
Askush nuk ka të drejtë të vërë në dyshim vendimin e Brrutit, i cili me zemër dhe shpirt po ndjek rrugën e tij, duke mbrojtur vlerat kombëtare.
Për ne, Kosova dhe Shqipëria nuk ndahen, sepse jemi një komb, një gjak dhe një histori”, thuhet në reagimin e Besnik Brrutit, i ati i Etnikut.