Aksionet e Juventusit janë rritur ndjeshëm në bursën e Milanos, të nxitura nga një sërë spekulimesh që sugjerojnë ristrukturimin e mundshëm të aksionerëve të klubit, historikisht në pronësi të familjes “Agnelli”.
Vlera e aksioneve është rritur me 7.5%, duke arritur në 3.34 euro. Që nga data 2 shkurt, ato kanë shënuar një rritje prej rreth 43%. Pra, rritje e ndjeshme pavarësisht rezultateve zhgënjyese sportive të skuadrës bardhezi.
Në treg vazhdojnë të qarkullojnë hipoteza se “Exor” (aksioneri kryesor i Juventusit me 65.4%) mund të tërhiqet, duke i hapur rrugë një rikthimi të ish-presidentit Andrea Agnelli, i cili sipas thashethemeve do të ishte i gatshëm të rimerrte klubin me mbështetjen e disa partnerëve. Megjithatë, “Exor” i ka mohuar këto zëra, duke deklaruar se "nuk kanë asnjë bazë faktike".
Në vitet e fundit, drejtuesit e “Exor” janë pyetur në disa raste nëse kishin synimin për ta shitur klubin bardhezi, por gjithmonë kanë dhënë shenja mbështetjeje, duke nisur nga festimet për 100-vjetorin e pronësisë së familjes “Agnelli” mbi Juventusin.