Sezonin nuk e ka aspak të lehtë, dhe situata ende duket kritike. Ardian Ismajli nuk mund të thuhet me siguri se do të jetë gati për kombëtaren shqiptare për ndeshjet kundër Anglisë dhe Andorrës, ndonëse shpresë padyshim që ka.
Mediat italiane njoftojnë se mbrojtësi kuqezi është ende jashtë skuadrës së Empolit, në prag të ndeshjes së radhës në Serinë A, edhe pse riaftësimi po vazhdon pozitivisht.
“Përshtypjet janë pozitive, – shkruan njëra nga këto media në rrjet, – gjendja e Ismajlit dhe Facinit ende duhet të vlerësohet, por ata mund të grumbullohen në ekip për në Torino”.
Futbollisti kuqezi mbetet I dëmtuar që nga 26 shkurti, kur luajti në ndeshjen e Kupës së Italisë kundër Juventusit, të cilën skuadra toskane e fitoi dhe u kualifikua për në gjysmëfinale për herë të parë në historinë e saj.
Ai ka humbur dy sfida deri tani, por edhe më herët ishte I lënduar, që nga 2 shkurti, duke humbur 4 ndeshje. Pra, në një muaj e gjysmë, Ismajli ka luajtur vetëm 45 minuta, një statistikë aspak inkurajuese.
Kjo, sepse edhe nëse mbrojtësi titullar I Shqipërisë do të jetë I gatshëm për t’u thirrur në përfaqësuese, me kaq pak minutazh në një kohë të gjatë, nuk pritet të jetë aspak në formën më të mirë të mundshme.
Kjo gjë shqetëson shumë sidomos për sfidën ndaj një kundërshtari të tillë si Anglia, aq më tepër që luhet në Londër.