Portieri i Real Madridit, Thibaut Courtois, ka komentuar triumfin ndaj Atletico Madridit me penallti (2-4) për të kaluar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve.
Përveç komentit për lojën, belgu ka komentuar edhe penalltinë e Alvarez, e cila nisi shumë polemika.
“Në fund, gjithçka ishte një lloj llotarie. Kur bëhej fjalë për penalltitë, ne biseduam me njëri-tjetrin, e dinim që presioni ishte te golashënuesit.
Ndoshta nuk kemi pasur paraqitjen më të mirë, por më e rëndësishmja është se kemi avancuar.
Prisja që Atletico të bënte presion për një gol të dytë, u habita që ata thjesht mbroheshin dhe prisnin kundërsulme. Ata luajtën mirë, patën më shumë raste dhe unë duhej të mbroja. Mendoj se ata kishin frikë se do t’i kapnim në befasi me shpejtësinë e Vinicius dhe Mbappe.
Sa i përket penalltisë së Alvarezit, të gjithë e dimë që UEFA ka rregulla të qarta. Jam lodhur duke bërë viktima të arbitrave, duke qarë për situata të tilla”, tha Courtois.
Në fazën çerekfinale Real Madridi do të përballet me Arsenalin dhe më pas më i miri i kësaj dyshe do të përballet me PSG-në ose Aston Villa.