Sonte janë përcaktuar katër skuadrat e para çerekfinaliste të Ligës së Evropës.
Athletic Bilbao e ka përmbysur Romën në ndeshjen e kthimit të së tetës së finales.
“Giallorossi” e kishin fituar lojën e parë 2:1 në shtëpi, ndërsa sonte fituan spanjollët me rezultat 3:1 për ta prekur çerekfinalen.
Nico Williams i shënoi dy gola, ndërsa një tjetër e shtoi Berchiche.
Kurse, goli i Paredes në minutat shtesë nga penalltia ishte i pamjaftueshëm për italianët.
Ndërkohë, nga Liga e Evropës u eliminua edhe Ajaxi, i cili pësoi humbje 1:4 nga Eintracht Frankfurti.
Ky i fundit fitoi me rezultat të përgjithshëm 6:2 dhe e preu një biletë në mesin e tetë më të mirëve të kësaj gare.
Përpara shkoi edhe Lazio, të cilës i mjaftoi barazimi 1:1 ndaj Viktoria Plzen në shtëpi për ta siguruar kualifikimin me rezultat të përgjithshëm, 3:2.
Kurse, fitorja 2:1 sonte në shtëpi nuk i mjaftoi Olympiakosit pasi kualifikimin e siguroi Bodoe/Glimt me rezultat të përgjithshëm, 4:2.