2 prill 1999, policia dhe ushtria serbe troket në derë. Naim Ismajli 15 vjeç, bashkë me motrën, vëllanë, nënën dhe babanë, nxirren dhunshëm nga banesa në Klinë.
Nga qyteti dhe rrethina bashkë me civilë edhe nga Malisheva e Gjakova i nisën për Shqipëri.
Në fshatin Kralan të Gjakovës i tubuan.
I grumbulluan meshkujt, edhe Naimin bashkë me ta, deshën t’i shtypin me tanke por shpëtuan.
Për dy ditë e netë jetën dhe vdekjen i ndante një fije e hollë.
Më 4 prill masakra nisi. Naimin e futën në rresht, të rinjtë i ndanë nga të rriturit, i renditën, pushkët i bënë gati, por mëshira e babait për djalin, ishte më e madhe sesa dëshirë për jetë.
“Babën e kanë lëshuar mua më kanë ndalur pas një kohe erdhi baba edhe ju tha se a bënë me e lëshu djalin se është shumë i ri, ka thënë unë po hyjin në vendin e tij edhe për fat ka pranuar polici. Ka pranuar edhe mua më lëshuan babën tem e kanë ndalur aty, tash sot që u gjetë një pjesë e tij”, ka thënë Ismajli.
Me shikimin e babait që e shpëtoi nga ekzekutimi, Naimi 15 vjeçar iu bashkua kolonës për në Shqipëri.
“Në atë kohë e kish pas shkruar emrin Naim Ismajli 01.01.1984 Klinë edhe ma kish pas futur në gjepë, unë nuk e kam hetu, kur kam shku e kam gjetë në rrobat e mija, puna që nëse vrahna edhe me u gjetë se kush jam unë”, ka shtuar Ismajli.
Jeta vazhdoi, e gjithë familja por sidomos nëna nuk la gur pa lëvizur, por nuk arriti asnjëherë tek e vërteta.
“Tash në korrik i bënë dy vjet që ka vdekur Nana prej një sëmundjeje edhe nuk mundi me e prit këtë ditë që është gjetë një pjesë e prindit tonë”, ka treguar Ismajli.
Nëna e Naimit, burrin Sheremetin për herë të fundit të gjallë e pa kur ishte 42 vjeç. Djali 26 vjet pas luftës e ka marrë lajmin që gjithmonë e priste.
Në masakrën e Kralanit u masakruarën 87 civilë shqiptarë.
“Aktualisht familjet janë njoftuar për, në fillim të javës për 7 identifikime të reja, dje e kemi pasur njoftimin ose informimin zyrtar për viktimën e 8 të identifikuar dhe për momentin ekspertët, antropologët ligjor por edhe ne jemi qoftë në përcaktimin final të identifikimit për të paktën edhe 4 viktima”, ka thënë Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Nga 2 deri më 4 prill, ushtria dhe policia e Serbisë i ekzekutoi dhe i masakroi 87 civilë, ua dogji kufomat, i varrosi në Bishtazhin të Gjakovës bashkë me të vrarët në dy masakra të tjera. Por jo vetëm kaq, krimi u ripërsërit.
“Në fund të luftës në zbatim të urdhërit që i ishte dhënë në Beograd për fshehjen e Krimit, forcat serb ishin rikthyer në këtë lokacion për të tërhequr kufomat që i kishin groposur gjatë muajit prill, dhe tërheqja ishte bërë me mjete të rënda motorrike., ka shtuar Gara.
Nga Bishtazhin të Gjakovës pas luftës u rivarrosën mbetjet e 19 viktimave, 16 ishin nga masakra e Kralanit. Një pjesë e trupave u identifikuan në afërsi të liqenit Peruqas në Serbi, por ende mbi 30 civilë mbeten të zhdukura nga kjo masakër.
Familjarët kanë vendosur që varrimin ta kryejnë më 4 prill, në përvjetorin e 26 të masakrës së Kralanit.