Më 15 mars, 2025, Beogradi do të jetë qendra e një tubimi masiv, të organizuar nga studentët. Ngjarja pason protestat dhe bllokadat e vazhdueshme të tyre, që prej tragjedisë së 1 nëntorit në Novi Sad.
Studentët thonë se mitingu i së shtunës do të jetë paqësor, por presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, paralajmëron dhunë dhe arrestime.
Vuçiç, u ka bërë thirrje studentëve të vendosur në kampe në qendër të Beogradit, t’iu kthehen orëve mësimore dhe të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre të shtunën e 15 marsit.
Studentët, prej disa muajsh kanë bllokuar universitetet shtetërore, duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin e trenit në Novi Sad më 1 nëntor.
Vuçiç u takua në Presidencë të enjten, me një grup studentësh, të cilët i kundërshtojnë bllokadat e studentëve. Ata i thanë presidentit serb se do ta marrin një vendim për kërkesën e tij për t’u tërhequr “brenda 24 orëve të ardhshme”.
“Nëse pranoni, faleminderit shumë, do të na lehtësoni punën, nëse nuk e pranoni, ne do t’i mbrojmë të gjithë”, u tha Vuçiq atyre. Gjatë bisedës, ai akuzoi edhe një herë organizatorët e tubimit të së shtunës se “dëshirojnë dhunë”.