Akuza për përdorimin e topit zanor – autoritetet serbe e mohojnë

- Bota Sot

Akuza për përdorimin e topit zanor – autoritetet serbe e mohojnë

Pas protestës më të madhe në historinë e Serbisë, të mbajtur më 15 mars, ku morën pjesë studentë, qytetarë dhe përfaqësues të grupeve të ndryshme shoqërore, u shfaqën akuza serioze se “autoritetet kanë përdorur një armë të veçantë” kundër demonstruesve paqësorë.

Ministria e Punëve të Brendshme (MUP) mohoi përdorimin e topit zanor, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri thirrje që prokuroria të “zbardhë të vërtetën” dhe njoftoi sanksione për ata që, siç tha ai, “përhapën mashtrime dhe shqetësuan qytetarët.”

Protesta masive antiqeveritare e qytetarëve “15 për 15”, e mbajtur të shtunën, u ndërpre në momentin kur demonstruesit po mbanin një heshtje 15-minutëshe në kujtim të 15 viktimave të tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit. Sipas dëshmive të të pranishmëve, në rrugën e Mbretit Milan u dëgjua papritur një tingull i fuqishëm, i shoqëruar me një valë nxehtësie ose ere.

Qytetarët përshkruan tingullin si zhurmë motori avioni, shpërthim ose një rrëmujë masive që afrohej, duke shkaktuar frikë dhe panik të menjëhershëm. Njerëzit filluan të vraponin instinktivisht, pa kuptuar nga vinte kërcënimi. Mediat raportuan për ankesa mbi reagime fizike dhe psikologjike, përfshirë dhimbje koke, të përziera, dezorientim dhe sulme paniku, ndërsa disa qytetarë pësuan lëndime gjatë vrapimit.

Dëshmitë për këtë ngjarje po shtohen, ndërkohë që institucionet mjekësore kanë pranuar disa qytetarë që janë ankuar për pasojat e ekspozimit ndaj këtij tingulli. Edhe pse Qendra e Urgjencës mohon pranimin e një numri të madh pacientësh, qytetarët ndajnë përmes rrjeteve sociale përvojat e tyre mbi pasojat e ndjera.

Lideri i partisë opozitare Srce dhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Zdravko Ponosh, publikoi në rrjetet sociale se “gjatë protestës është përdorur topi zanor”, ndërsa analisti ushtarak Aleksandar Radiq tha për N1 se panikun e shkaktoi një armë zanore që, sipas tij, është në posedim të sistemit të sigurisë së Serbisë.

Studentët në bllokadë, përfshirë ata të Fakultetit Juridik, Fakultetit të Shkencave Politike, Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Fakultetit të Shkencave Kompjuterike, akuzuan autoritetet për përdorimin e topit zanor dhe kërkuan një përgjigje të menjëhershme dhe të qartë nga institucionet përkatëse.

Në një postim në Instagram, studentët nga fakultetet e bllokuara të Beogradit shprehën pritshmërinë që institucionet të japin “një përgjigje të menjëhershme dhe të qartë” lidhur me përdorimin e supozuar të topit zanor në protestë.

Senati i zgjeruar i Universitetit të Beogradit reagoi ndaj incidentit, duke shprehur shqetësim dhe indinjatë. Në deklaratën e tyre thuhet se sulmi shkaktoi panik dhe rrezikoi shëndetin dhe jetën e të pranishmëve, ndërsa një tragjedi më e madhe u shmang falë vetëdijes së organizatorëve dhe qytetarëve. Senati kërkon një hetim urgjent dhe transparent, ndëshkimin e përgjegjësve dhe garanci të qarta që qytetarët do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për tubime pa frikën e dhunës.

Lideri i Frontit të Gjelbër të Majtë, Radomir Llazoviq, deklaroi se autoritetet për herë të parë kanë përdorur “topin zanor për kontrollin masiv dhe shpërndarjen e demonstruesve”. “Ky është një krim i drejtpërdrejtë i regjimit kundër popullit të tij. Prandaj kemi njoftuar të gjitha përfaqësitë diplomatike, Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare për përdorimin e një arme masive kundër qytetarëve,” tha Llazoviq.

Nënkryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Aris Movsesijan, kërkoi një hetim të menjëhershëm dhe përgjegjësi nga të gjitha institucionet përkatëse. “Këto mjete nuk mund të blihen nga sipërmarrës apo persona privatë, është e qartë që vijnë nga shteti. Prandaj kërkojmë përgjigje, kush e bleu, kush e aprovoi dhe kush e urdhëroi përdorimin e këtij mjeti të paligjshëm?” tha Movsesijan, duke shtuar se incidenti është një përpjekje për të frikësuar qytetarët dhe për të shtypur protestën.

Kryetari i Partisë Demokratike, Srgjan Millivojeviq, njoftoi se do t’i drejtohet komunitetit ndërkombëtar, duke akuzuar presidentin Aleksandar Vuçiq se “ka sulmuar studentët me një armë të ndaluar gjatë nderimit të viktimave.”

Organizata ProGlas, e cila përbëhet nga personalitete të shquara publike që luftojnë për ndryshime në Serbi, deklaroi se “përdorimi i një arme të paidentifikuar, e dyshuar të jetë topi zanor, përbën një sulm ndaj shëndetit, sigurisë dhe të drejtave politike të qytetarëve,” duke paralajmëruar se rasti do të raportohet te organizatat ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave civile.

Lëvizja Evropiane në Serbi (EPuS) kërkoi nga ministri i Brendshëm Ivica Daçiq dhe prokurori publik që të zhvillojnë një hetim të menjëhershëm dhe të fillojnë procedurat kundër përgjegjësve për sulmin masiv me armë zanore të panjohur ndaj demonstruesve paqësorë. “Ministri Ivica Daçiq do të mbajë përgjegjësi të plotë para publikut dhe ligjit nëse nuk përgjigjet ndaj kësaj kërkese dhe nuk siguron një hetim profesional dhe objektiv,” thuhet në deklaratën e EPuS-it.

Disa organizatat joqeveritare kanë nisur një fushatë për mbledhjen e dëshmive të qytetarëve që ishin të pranishëm në incident. Më shumë se 500 raportime janë marrë përmes telefonit, emailit dhe rrjeteve sociale.

Sipas këtyre organizatave, qytetarët kanë përshkruar pasoja fizike dhe psikologjike, përfshirë presion të lartë në kokë, ndjesi nxehtësie në trup, dhimbje koke, të përziera, zhurmë në veshë, rrahje të shpejta të zemrës, dridhje dhe humbje ndjenjash. Organizatat kërkojnë një hetim urgjent dhe transparent, ndërsa qytetarët i ftojnë të raportojnë përvojat e tyre përmes një formulari.

Presidenti Aleksandar Vuçiq bëri thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe prokurorisë që të “zbardhin të vërtetën” mbi përdorimin e supozuar të topit zanor dhe të ndjekin penalisht ata që “kanë përhapur dezinformata dhe shqetësuar qytetarët.”

MPB dhe Ministria e Mbrojtjes mohuan përdorimin e topit zanor në protestën e 15 marsit. Ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, mohoi “të gjitha pretendimet dashakeqe” dhe theksoi se policia nuk ka përdorur “asnjë mjet të paligjshëm.”



Read it all at Bota Sot