Dëgjo këtë artikull tani...Kryeprokurori i Prizrenit dhe Avokati i Popullit diskutojnë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu dhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj kanë diskutuar për sfidat, me të cilat ballafaqohen këto dy institucione, gjatë përmbushjes së kompetencave dhe mandateve kushtetuese e ligjore që kanë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Themelore në Prizren, në këtë takim, është biseduar lidhur me zbatimin e rekomandimeve të Institucionit të Avokatit të Popullit nga ana e Prokurorisë së Prizrenit, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut të garantuara me Kushtetutë, si dhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, të zbatuara në Republikën e Kosovës.
“Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, zbatimit të ligjshmërisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prizrenit.