Kombëtarja shqiptare U-17 është gati për ndeshjen e parë ndaj Azerbajxhanit, në kuadër të raundit të dytë të kualifikueseve të Kampionatit Europian “Shqipëri 2025”.
Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet që prej së shtunës dhe pasditen e djeshme mbyllën zyrtarisht përgatitjet për takimin e parë.
Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se ka pasur një ndryshim në listën e trajnerit Andrea Tedesco. Është larguar nga grumbullimi për arsye dëmtimi Lukas Cekrezi dhe është ftuar Spasian Nasto nga Skënderbeu.
Ndeshja Shqipëria U-17–Azerbajxhan U17 do të luhet sot në stadiumin “Elbasan Arena”, në orën 15:00. Një ndeshje shumë e rëndësishme për djemtë kuqezi, që do të tentojnë fitoren.
Hyrja në stadiumin “Elbasan Arena” është falas për të gjithë tifozët që dëshirojnë të mbështesin Kombëtaren, në provën e parë para finaleve të Kampionatit Europian U-17.