Barella: Nuk ka kuptim të fshihem

- Bota Sot

Barella: Nuk ka kuptim të fshihem

Nicolò Barella, mesfushori i Interit dhe një nga shtyllat e kombëtares Italiane, foli nga grumbullimi në “Appiano Gentile”, pak ditë para dy përballjeve ndaj Gjermanisë në çerekfinale të Ligës së Kombeve: “Që kur isha fëmijë kam ëndërruar të luaja kundër skuadrave të forta si Gjermania.

Ata kanë lojtarë që kanë fituar Champions League dhe janë mësuar të luftojnë për objektiva të mëdha. Do të thosha se janë një nga kombëtaret më të forta në botë, por edhe ne jemi të tillë, kemi rigjetur sigurinë që na kishte munguar për një periudhë të caktuar.

Duam ta shijojmë këtë moment, ku po bëjmë mirë. Na pret një test i bukur, ku fjala kyçe do të jetë argëtimi, diçka që na ka munguar pak. Nëse argëtohemi ne, do të argëtojmë edhe tifozët. Këto dy sfida me Gjermaninë mund të ndihmojnë në krijimin e një mentaliteti ndërkombëtar, që do të na vlejë për të ardhmen”.

Zhgënjimi në Europianin 2024 është hedhur tashmë pas krahëve tek axurrët: “Spalletti gjithmonë i ka bërë skuadrat e tij të luajnë mirë. Në Europian nuk ia dolëm, sepse me sa duket na duhej më shumë kohë për të përvetësuar idetë e tij. Ne jemi të gatshëm ta ndjekim dhe më duket se rezultatet po shihen.

Do të bëjmë gjithçka për t’u kualifikuar në Botërorin 2026, edhe sepse e kam përjetuar tashmë dhimbjen e dështimit për t’u kualifikuar në kompeticionin e Katarit. Nuk dua ta përjetoj përsëri këtë zhgënjim. Do të japim maksimumin, të vetëdijshëm që kemi cilësinë dhe aftësitë për t’u kualifikuar”.

Synimi i tripletës me Interin: “Na pëlqen të luftojmë në të gjitha frontet, edhe për Kupën e Botës për Klube, pa u kursyer. Duhet të kesh gjithmonë ambicien për ta nisur një kompeticion me qëllimin për të shkuar sa më larg, për ta ngritur trofeun. Dua të fitoj gjithçka që mund të fitohet si me kombëtaren, ashtu edhe me Interin. Nuk ka kuptim të fshihesh”.



Read it all at Bota Sot