Mesfushori i Manchester City, Phil Foden, beson se fitimi i FA Cup dhe përfundimi në “top-4” ekipet më të mira të Premier League do të shpëtojë një sezon të dobët të kampionëve aktualë të Anglisë, duke i rikthyer ata konkurrues.
Nëntë humbje në ligë e kanë lënë skuadrën e Pep Guardiolës 22 pikë larg kryesuesve të Liverpool. Ndaj, për ta beteja e vetme është kualifikimi në Champions dhe trofeu i FA Cup, ndërsa në fund të sezonit edhe botërori për klube.
“Për ne këto dy objektiva janë të rëndësishëm. Ndjej se nëse fitojmë FA Cup dhe kualifikohemi në Champions do të shpëtojmë një sezon të dobët”, u shpreh për mediat Phil Foden.
“Tani, një nga objektivat kryesorë është të sigurohemi që do të luajmë në Champions League sezonin e ardhshëm. Është në duart tona nëse fitojmë ndeshjet e mbetura pasi duhet të besojmë në atë që mund të bëjmë dhe të besojmë se mund ta bëjmë”, shtoi Foden.
Më tej, Foden shtoi: “Arritja e tyre do të bëjë që të shkojmë në sezonin e ardhshëm me pak më shumë besim. Nuk ishte qëllimi ynë që të ishim këtu në fillim të sezonit, por ndonjëherë ky është futbolli. Kurrë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë”.