Nuk është në planet e Putinit, që lufta të përfundojë

- Bota Sot

Nuk është në planet e Putinit, që lufta të përfundojë

Nuk jemi ende në prag të një armëpushimi të vërtetë dhe të qëndrueshëm në Ukrainë.

Ndoshta do të vijë; ndoshta pas disa muajsh, kush e di. Por për momentin, ashtu si në tre vitet e fundit, presidenti rus Vladimir Putin, i cili është ende larg arritjes së objektivave të tij për të kontrolluar ushtarakisht rajonet e aneksuara dhe politikisht gjithë vendin, nuk ka ndërmend të ndalojë pushtimin. Dhe kjo është edhe më e vërtetë tani, pasi Putini është ndoshta i bindur se tashmë e ka në xhep presidentin amerikan, Donald Trump. Por përfundimi i luftës në Ukrainë nuk duket se është, për momentin, në planet e Kremlinit.

Putini ka refuzuar propozimin e dakordësuar mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump, për një armëpushim të plotë 30-ditor.

Në telefonatën e fundit me homologun e tij amerikan, presidenti rus u mjaftua duke dhënë një lloj premtimi të vogël, duke dhënë miratimin për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës. Por vetëm disa orë pas përfundimit të telefonatës, ai kreu një sulm masiv me dronë dhe raketa ndaj centralit elektrik që furnizon hekurudhat ukrainase dhe dy spitaleve.

Është e qartë se Putini mendon se jo vetëm mund ta injorojë Trumpin, por edhe ta poshtërojë atë, aq i bindur është se e ka nën kontroll.

Deri më sot, presidenti amerikan nuk ka dhënë asnjë shenjë që do të sfidonte këtë interpretim. Pse? Kjo është e vështirë të deshifrohet. Pa rënë në teori konspirative, mund të supozojmë se arsyeja pse Trumpi është kaq i manipulueshëm, është një përzierje e padijes për çështjet në fjalë, mosdurimit ndaj detajeve dhe një egoje të pakufishme që vështirë se do të pranonte një goditje ndaj imazhit narcisist që ka për veten, si një “paqebërës i madh”.

Nga ana tjetër, Putini nuk është i vetmi që luan këtë lojë makabre.

Jo vetëm nuk ka përfundim të luftës në Lindjen e Mesme, siç shumë shpresonin dhe siç ai vetë propagandonte, por tani Trumpi i ka dhënë dritën jeshile Benjamin Netanyahut për të rifilluar bombardimet në Gaza, duke vrarë mbi 400 civilë palestinezë në një ditë të vetme.

Ai gjithashtu ka përshkallëzuar krizën në Detin e Kuq dhe ka afruar skenarin e një përplasjeje të drejtpërdrejtë me Iranin. Dhe thuaj po deshe që meriton Nobelin për Paqe.

Po tani, çfarë mund të presim për luftën në Ukrainë?

Strategjia e Kremlinit duket mjaft e qartë. Duke zvarritur negociatat, Rusia synon tre objektiva kryesore.

Së pari, të përdorë negociatat si një mbulesë për të vazhduar luftën.

Së dyti, të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin që nuk lidhet drejtpërdrejt me luftën në Ukrainë. Nëse Putini dëshiron të vazhdojë luftën, i bindur se mund ta fitojë, ai e di se mund ta bëjë këtë vetëm nëse vendet perëndimore i japin frymëmarrje ekonomisë së tij. Vetëm kështu ai mendon se mund të sigurojë më shumë sesa 7-8% të territorit ukrainas, (përveç 14% të pushtuar në vitin 2014), që ka arritur të marrë gjatë tre viteve të luftës me një kosto njerëzore dhe ekonomike marramendëse.

Edhe pse sanksionet nuk janë një arsye e mjaftueshme për ta bërë Moskën të tërhiqet, heqja e tyre do të ishte kushti i domosdoshëm për të lejuar një vazhdim të pushtimit “sine die” (pa afat).

Ky objektiv i dytë nënkupton që Putini të arrijë ta transferojë fajin tek Kievi, një synim që duket i lehtë për t’u arritur duke pasur parasysh mbështetjen totale të Trumpit ndaj Moskës.

Kjo lidhet me objektivin e tretë, i cili synon të konsolidojë përçarjen transatlantike përmes vetë presidentit të SHBA-së.

Putin ka përsëritur shpesh se një armëpushim në Ukrainë do të kërkonte ndalimin e mbështetjes ushtarake për Kievin. Ky është kushti i domosdoshëm që Putini të pranojë të lërë armët – për pak kohë. Kjo do t’i lejonte atij të vazhdonte mobilizimin ushtarak në Rusi, për të rifilluar më pas luftën, në Ukrainë dhe/ose gjetkë, kur Ukraina të jetë e çmilitarizuar dhe e braktisur, dhe forcat ruse të jenë rigjeneruar.

Është e besueshme të imagjinohet se Trumpi, pasi ta ketë hedhur fajin mbi Kievin, do ta pranojë këtë kusht, herët a vonë.

Po aq e mundshme është që presidenti amerikan, përmes Putinit, të ushtrojë presion mbi evropianët që të bëjnë të njëjtën gjë. Propaganda më pas do të paraqiste Putinin dhe Trumpin si dy negociatorët e paqes, ndërsa Evropën luftënxitëse si pengesën për paqen.

Kush e di, ndoshta Trumpi mund të kërcënojë Evropën që të nënshtrohet ndaj dëshirave të Moskës, përmes tarifave tregtare ose një tërheqjeje të pjesshme ushtarake nga kontinenti evropian.

Por skenari i Putinit ka një problem të madh: Ukrainën dhe Evropën.

E vetmja e panjohur e vërtetë është nëse Evropa – ose më saktë, cila Evropë – do të ketë forcën, qëndrueshmërinë, largpamësinë dhe guximin për të vazhduar të mbështesë Kievin, jo vetëm kundër Moskës, por edhe kundër Uashingtonit, duke qenë e vetëdijshme se siguria evropiane tani kalon përmes një Ukraine të lirë. / La Stampa – Bota.al



Read it all at Bota Sot