1.8 milion euro është borxhi total që Kompanitë Rajonale të Mbeturinave i kanë Kompanisë për menaxhimin e deponive në Kosovë, ndërsa borxhliu më i madh është “Pastrimi” nga rajoni i Prishtinës. Kështu ka bërë të ditur për eo, kryeshefi ekzekutiv i KMDK-së, Dardan Velija.
Ai ka thënë se Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi” në Prishtinë ka 1.25 milion euro borxhe, për çka i kanë dhënë afat deri më 7 prill. Si shkak i borxhit të madh, KMDK-ja është edhe në procedurë për t’i dërguar në përmbarim këto ndërmarrje.
Kritika ka edhe për mënyrën se si e ka gjetur këtë kompani, duke thënë se është keqmenaxhuar për një kohë të gjatë.
“Borxhi total që nuk hyjnë të gjitha si ‘borxhe të këqija’ është rreth 1 milion e 843 mijë euro. Borxhliu më i madh fatkeqësisht është ndërmarrja ‘Pastrimi’. Kjo ndërmarrje na i ka mbi 1.25 milion euro që vazhdon të jetë për një kohë shumë të gjatë. Kohëve të fundit është rritur, sidomos duke filluar nga tetori e këtej. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me ndërmarrjen ‘Pastrimi’ dhe me aksionarë të kësaj ndërmarrje, por për neve është e papranueshme që një ndërmarrje publike t’i ketë një ndërmarrje tjetër publike shumë kaq të borxheve, sepse ne e kemi një mandat shumë të rëndësishëm për vendin. E kemi trashëguar një kompani të keqmenaxhuar për një kohë shumë të gjatë ku gjendja e deponive tona sanitare është e mjerë, e papranueshme për standardet që i kemi ne në ligjet tona e aq më pak për standardet e Bashkimit Evropian ku jemi duke u angazhuar që të ndryshojmë këtë gjendje”, ka thënë Velija.
Kryeshefi i KMDK-së ka thënë se nëse “Pastrimi” nuk e shlyen borxhin, do ta mbyllin portën për këtë ndërmarrje, siç kanë vepruar edhe në të kaluarën. Ka thënë se si shkak i gjendjes aktuale, janë detyruar të lidhin kontrata javore dhe mujore.
“Ne kemi pas disa raste edhe në vitet e shkuara edhe tani që e kemi mbyll portën për klientë që nuk kanë paguar. Ne ofrojmë shërbim, përderisa ne jemi ndërmarrje publike ne jemi në të njëjtën kohë edhe shoqëri aksionare dhe synimi i shoqërive aksionare është që të rritet vlera e kompanisë. Ne nuk ofrojmë shërbim për klientët të cilët nuk paguajnë. Kemi qenë në kontakte të vazhdueshme me ‘Pastrimin’ dhe që një vit jemi duke bërë kontrata, dyjavore, njëmujore e tremujore, me negociata të vazhdueshme me ta, ku ata zotohen që do të paguajnë borxhin, të njëjtat fjalë i kemi edhe nga Komuna e Prishtinës që është aksionari më i madh por edhe nga komunat tjera, por kjo deri më tani nuk ka ndodhur”, u shpreh Velija, teksa shtoi se i kanë dhënë edhe një afat të fundit për ta paguar borxhin.
“Afati i tanishëm është deri më 7 prill dhe ne pas kësaj date besoj se do ta mbyllim portën për ndërmarrjen ‘Pastrimi’ deri ta shlyej borxhin. E kuptoj që kjo do të jetë një goditje edhe për qytetarët dhe e di që mosaftësia e ‘Pastrimit’ për t’i larguar mbeturinat do të na godasë të gjithëve, mirëpo është një masë e domosdoshme për t’u siguruara që ne e rregullojmë sistemin që kjo situatë të mos përsëritet”.
“… jemi edhe në fazën e fundit të procesit përmbarimor dhe ne presim në çdo moment vendimin përmbarues për ndërmarrjen ‘Pastrimi’ dhe komunat aksionare dhe ndërmarrja duhet sa më parë të ulën dhe të gjejnë gjuhën e përbashkët për gjetjen e zgjidhjes së problemi. Është e pakuptueshme dhe e patolerueshme”, u shpreh Velija.
Imun nuk janë as kompanitë tjera të pastrimit. Gjendje thuajse të njëjtë është edhe ajo në rajonin e Ferizajt, veçse me një borxh më të vogël.
“Kemi probleme të ngjashme edhe me ndërmarrjen ‘Pastërtia’ e rajonit të Ferizajt. Borxhi i tyre tani ka arritur në 251 mijë euro, edhe me këtë ndërmarrje kemi kaluar në kontrata mujore dhe fati i njëjtë do ta gjejë edhe rajonin e Ferizajt, nëse nuk gjejnë zgjidhje mes tyre që të mbulohen borxhet”, deklaroi Velija.