E ardhmja e Armano Brojës mbetet ende e paqartë. Me përfundimin e periudhës së huazimit të tij tek Everton në fund të sezonit, sulmesi kuqezi do të rikthehet në Londër tek Chelsea, por me shumë gjasa atij i duhet të gjejë një ekip të ri për të vijuar karrierën, kjo pasi Broja nuk është në planet e klubit të Chelsea.
Të shumta kanë qenë skuadrat që kanë shprehur interesimin për të marrë Brojës, por së fundmi nga portali i specializuar për merkaton “Fichajes” në skenë ka dal një emër i ri. Bëhet fjalë për klubin spanjoll të Celta Vigos. Bëhet me dije se Celta do të ishte e gatshme të përfitonte nga dëshira e klubit londinez për të arkëtuar sa më shumë dhe nëse do të gjendjet përballë një çmimi okazion nuk do të ngurronte të niste një ofertë për të marrë shërbimet e sulmuesit shqiptar.
Armando Broja është aktivizuar vetëm 6 ndeshje këtë sezon me skuadrën e Everton, duke qenë në pjesën më të madhe të sezonit deri më tani jashtë fushave të blerta, për shkak të dëmtimeve të njëpasnjëshme.
Nëse Broja do të transferohej në La Liga tek Celta Vigo, kjo do të ishte eksperienca e tij e parë në kampionatin spanjoll. Megjithatë për momentin këto janë vetëm zëra merkatoje, pavarësisht se është thuajse i sigurtë largimi i Brojës nga klubi i Chelseat në fund të këtij sezon.