Gjykata amerikane shqyrton padinë e REL-it kundër USAGM-së

- Bota Sot

Gjykata amerikane shqyrton padinë e REL-it kundër USAGM-së

Një gjykatë amerikane mban sot një seancë për padinë e Radios Evropa e Lirë kundër Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), për bllokimin e fondeve.

REL-i e sheh bllokimin e fondeve të miratuara nga Kongresi, si përpjekje të agjencisë për t’ia ndërprerë krejtësisht financat.

Gjykata e Qarkut e SHBA-së për Distriktin e Kolumbisë do t’i dëgjojë argumentet e të dyja palëve duke filluar nga ora 14:00, sipas kohës lokale.

REL-i kërkon që USAGM-ja - e cila mbikëqyr transmetuesit e mbështetur nga Qeveria amerikane, si Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës - tia lëshojë 7.5 milionë dollarë për periudhën nga 1 marsi deri më 15 mars - ditën kur USAGM-ja njoftoi se financat nga granti i miratuar nga Kongresi për REL-in, janë ndërprerë.

Padia argumenton se mohimi i qasjes në fondet e miratuara nga Kongresi për Radion Evropa e Lirë, shkel ligjet federale dhe Kushtetutën e SHBA-së, e cila i jep Kongresit autoritetin përfundimtar për shpenzimet federale.

Padia kërkon gjithashtu nga gjykata që të japë një urdhër ndalese të përkohshme, me qëllim lirimin e fondeve të marsit.

Padia kërkon edhe pjesën e mbetur të fondeve të grantit për vitin e plotë buxhetor 2025, i cili përfundon më 30 shtator.

Një seancë paraprake për këtë të fundit është planifikuar të mbahet në mes të prillit.

“Përfundimi i kontratave të punonjësve tanë të pavarur dhe pezullimi nga puna i punonjësve do t’i pengojnë ndjeshëm aftësitë tona për të dhënë lajme të pacensuruara në 23 vendet ku shërbejmë”, tha presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, në dosjen për gjykatën.

USAGM-ja tha në dosjen e saj se Gjykata e Qarkut është vendi i gabuar për rastin dhe se Kongresi i ka dhënë USAGM-së “diskrecion të gjerë për të mbikëqyrur përfituesit e saj”.

“Edhe nëse kjo gjykatë do të kishte juridiksion për të miratuar kërkesën e paditësit, për anulimin e vendimit të USAGM-së, një gjë e tillë nuk do të ishte në interesin publik”, thuhet po ashtu në atë dosje.

Rreziku për mbylljen e REL-it shkaktoi reagime nga audienca në 27 gjuhë dhe në 23 vende ku ka transmetim.

“Ndonjëherë ishte si një rreze drite që depërtonte në errësirën e gënjeshtrës”, shkroi në Facebook lexuesi ukrainas, Oleh Prozorov, duke e falënderuar Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë për, siç u shpreh, “mbrojtjen e lirive politike”.

Direktiva për ndërprerjen e fondeve u dha disa orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për reduktimin e shtatë agjencive federale, përfshirë USAGM-në.

Granti i Radios Evropa e Lirë u ndërpre me një letër, e cila u nënshkrua nga Kari Lake, këshilltare e lartë e ushtruesit të detyrës së drejtorit ekzekutiv të USAGM-së.

Në letër thuhej se “vendimi nuk i zbaton më prioritetet e agjencisë”.

Shpjegime të tjera nuk u dhanë.

Përplasjet e Trumpit me USAGM-në

Lake u nominua nga Trump për të marrë postin e udhëheqëses së Zërit të Amerikës, megjithëse emërimi i saj duhet të miratohet nga Bordi Këshillimor i Transmetimeve Ndërkombëtare (IBAB).

Anëtarët e IBAB-së - një organ konsulence i krijuar nga Kongresi për të mbikëqyrur aktivitetet e USAGM-së - u hoqën nga pozicionet e tyre nga administrata amerikane në janar dhe nuk u zëvendësuan më.

Trump - i cili ndërmori disa veprime për zvogëlimin e shpenzimeve qeveritare, prej se nisi mandatin e dytë në janar - është përplasur qysh në mandatin e parë me USAGM-në për pavarësinë editoriale dhe programet.

Por, mbështetësit e transmetuesve thonë se ata janë një krah i rëndësishëm i diplomacisë amerikane.

“Është jetike që Kongresi ta mbrojë USAGM-në, të garantojë sigurinë e gazetarëve dhe të riafirmojë angazhimin e Qeverisë amerikane për një media të lirë dhe të pavarur, brenda dhe jashtë vendit”, shkroi një grup prej 28 organizatash për lirinë e shtypit dhe gazetarëve nga e gjithë bota, në një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë, më 19 mars.

A do të ndërhyjë BE-ja?

Me të ardhmen e pasigurt të Radios Evropa e Lirë, politikanët e Bashkimit Evropian po përpiqen të gjejnë mundësi për ta mbështetur transmetuesin.

USAGM-ja është një agjenci e pavarur e Qeverisë amerikane që mbikëqyr transmetimin e lajmeve dhe informacioneve në pothuajse 50 gjuhë, për rreth 361 milionë njerëz çdo javë.

Buxheti që ka kërkuar USAGM-ja nga Kongresi amerikan për vitin fiskal 2025, është 950 milionë dollarë, për t’i financuar të gjitha operacionet dhe investimet kapitale.

Aty përfshihen mediat: Radio Evropa e Lirë, Zëri i Amerikës, Radio Azia e Lirë, Zyra e Kubës (Radio Marti), Rrjeti i Transmetuesit për Lindje të Mesme dhe Fondi i Teknologjisë së Hapur.

Sipas dokumenteve të USAGM-së, buxheti i kërkuar për REL-in për vitin 2025 ishte rreth 153 milionë dollarë./REL



Read it all at Bota Sot