Shkarkimi i Thiago Mottas nga Juventusi e ka vendosur nën presion edhe më të madh drejtorin sportiv të klubit, Cristiano Giuntoli, pasi ish-drejtori i Napolit është përgjegjës për zgjedhjen e Mottas si trajner dhe shpenzimin e 200 milionë eurove në nënshkrime të reja, që nuk po arrijnë pritshmëritë.
Puna e bërë e Giuntolit te Juventusi është duke u vënë në dyshim nga tifozët e Juventusit dhe nga mediumet Italiane, pas shkarkimit të Thiago Mottas.
Giuntoli e punësoi Mottan verën e kaluar, duke shpresuar në një projekt që do të dërgonte në rrugët e fitores, me një futboll të bukur për sy.
Megjithatë, një “maratonë” rezultatesh të dobëta dhe marrëdhënia e krisur e Mottas me një pjesë të futbollistëve, bën që ai të shkarkohet të dielën, por kjo nuk do të thotë që vetëm trajneri italo-brazilian ishte i vetmi fajtor për sezonin dëshpërues të “Zonjës së Vjetër”.
Giuntoli e Motta së bashku morën disa vendime të rëndësishme, duke larguar Ëojciech Szczesnyn e Federico Chiesan gjatë verës dhe Danilon e Nicolo Fagiolin gjatë dimrit.
Dean Huijsen është një lojtar tjetër që u largua nga Juventusi gjatë verës për vetëm 15 milionë euro – vetëm sa për të balancuar financat e klubit.
Spanjolli po shkëlqen me klubin e tij, Bournemouth dhe me kombëtaren spanjolle, derisa Juventusi nënshkroi për një shumë të njëjtë me Lloyd Kelly në janar, për të zëvendësuar Gleison Bremerin e lënduar.
Në anën tjetër, Teun Koopmeiners e Nico Gonzalez nuk po arrijnë të justifikojnë çmimet që Juventusi ka paguar për ta.
Puna e Giuntolit është kritikuar ditëve të fundit nga mediumet italiane, madje ish-lojtari i Juventusit, Massimo Mauro ka thënë se Giuntoli ka shumë fuqi brenda klubit.
“Ish-drejtori i Napolit është përgjegjës për krizën te Juventusi”, ka shkruar “Gazzetta dello Sport” këtë të martë.