Shpërndarja e faturave pa zarfe nga KESCO, Nushi ankohet në AIP: Të shqiptohet masa ndëshkuese shtesë ndaj kompanisë

- Bota Sot

Shpërndarja e faturave pa zarfe nga KESCO, Nushi ankohet në AIP: Të shqiptohet masa ndëshkuese shtesë ndaj kompanisë

Aktivisti i PSD-së, Nol Nushi, është ankuar në Agjencinë për Informim dhe Privatësi kundër kompanisë KESCO.

Ai ka bërë me dije se kjo kompani, e cila ka kërkuar shtrenjtimin e energjisë, nuk po e përfilli ligjin gjatë shpërndarjes se faturave.

Në profilin e tij në “Facebook”, Nushi ka publikuar ankesën e tij, në të cilën thuhet se kompania në fjalë po e cenon privatësinë e qytetarëve.

“Përmes kësaj shkrese, paraqes në mënyrë të drejtpërdrejtë shqetësimin tim serioz dhe të mbështetur me dëshmi konkrete lidhur me një praktikë të papërgjegjshme, të paligjshme dhe të përsëritur të “Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike” Sh.A (KESCo), e cila, përkundër vendimit tuaj të formës së prerë nr. 182/2024, vazhdon shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike në mënyrë të hapur, pa zarfe, duke ekspozuar publikisht të dhëna personale të mijëra qytetarëve”, thuhet në ankesën e tij, duke dhënë detaje tjera.

“Unë vetë, si subjekt i të dhënave personale, kam qenë dëshmitar i drejtpërdrejtë i kësaj praktike në disa raste të përsëritura në zona të ndryshme të Prishtinës, përfshirë lagje si Dardania, Ulpiana dhe Bregu i Diellit, ku faturat lihen në kutitë postare gjysmë të hapura, në korridore të përbashkëta ose mbi njehsorët elektrikë, pa asnjë masë mbrojtëse. Kjo sjellje e kompanisë jo vetëm që përbën cenim flagrant të privatësisë së qytetarëve, por përbën gjithashtu përpunim të paautorizuar dhe të pambrojtur të të dhënave personale si: emri, mbiemri, adresa dhe konsumi mujor i energjisë – të dhëna që, në shumë raste, mund të zbulojnë edhe gjendjen financiare të një familjeje”, thuhen në ankesën e tij.



Read it all at Bota Sot