Duket se aventura e portierit kamerunas Andre Onana te Manchester United është drejt fundit. I ardhur me shumë bujë dy sezone më parë, portieri 28-vjeçar më së shumti mbahet mend për gafat e tij me fanellën e “djajve të kuq”.
Për pasojë, klubi ka vendosur ta largojë në fund të këtij sezoni portierin që ka bërë 91 paraqitje. Ai e ka mbajtur të paprekur portën në vetëm 26 raste, duke pësuar 136 gola. Shifra që nuk e bindin klubin dhe trajnerin Ruben Amorim për ta mbajtur.
Duket se edhe vetë portieri është i bindur se këmbëngulja e tij për të qëndruar në “Old Trafford” nuk ka më baza, ndaj “talkSPORT” shprehet se Onana ka rënë dakord që të largohet. Destinacioni më i mundshëm është Arabia Saudite.
Mësohet se për portierin ka interesim serioz nga Saudi Pro League, ndaj klubi anglez do të ishte i gatshëm të dëgjonte ofertat për lojtarin në fund të sezonit. United po planifikon të rinovojë skuadrën e tij këtë verë dhe Onana s’bën pjesë në planet e reja.