Fabio Capello ka shkruar një artikull në ‘La Gazzetta dello Sport’, ku ka bërë një analizë të thelluar mbi situatën që po kalojnë Milani dhe Juventusi. Më poshtë janë disa pjesë kryesore:
"Nëse për dy skuadra që kanë bërë historinë e futbollit italian dhe botëror, pjesëmarrja në Champions League e sezonit të ardhshëm është e barasvlershme me një fitore, atëherë diçka nuk shkon.
Dhe nëse dy trajnerët e rinj, Conceição dhe Tudor, ka shumë gjasa të largohen në fund të sezonit, atëherë jemi përtej një sezoni të keq të zakonshëm.
Të dyja klubet kanë bërë gabime që nuk duhet të përsëriten, me përgjegjësi që duhen nënvizuar dhe, në disa raste, edhe të identifikohen."
Capello fillon me Milanin:
"Gjithçka më duket e ndërlikuar: zinxhiri komandues, saktësisht, cili është?
Nëse trajneri i zgjedhur në fillim të sezonit përfundon duke mos bindur, nëse strategjitë e merkatos nuk kanë funksionuar, duhet të jetë e mundur të identifikohet një figurë drejtuese që ka bërë këto zgjedhje.
Por tek Milani nuk është ende e qartë se kush vendos për çfarë. Ibrahimovic nuk është drejtues, por një këshilltar i pronarëve, e megjithatë, dikur ai tha se shefi është ai dhe ai komandon.
Megjithatë, hierarkitë në zgjedhjen e drejtorit të ri sportiv duket se po shkojnë në një drejtim tjetër, me CEO-n Furlani në plan të parë.
Madje edhe tifozët janë të hutuar, nuk dinë kujt t’i drejtojnë fajin për një sezon që rrezikon seriozisht të mbyllet pa një vend në Champions League."
Më pas ndalet tek Juventusi:
"Aty situata është më e qartë dhe për rrjedhojë edhe përgjegjësitë janë më të qarta: drejtori sportiv Giuntoli ka udhëhequr një merkato agresive, duke shpenzuar mbi 200 milionë euro për të revolucionarizuar skuadrën, por performanca e Juventusit nuk ka qenë në lartësinë e pritshmërive (dhe investimeve të bëra).
Si gjithmonë, në këto raste, trajneri (Motta) është ai që paguan çmimin, por kam përshtypjen se Giuntoli tani ndodhet në një udhëkryq: a do ta pranojë klubi një tjetër sezon zhgënjyes si ky?
E përsëris: në klubet e mëdha, durimi ka kufij të ngushtë, një rregull që vlen si për trajnerët, ashtu edhe për drejtuesit".