Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava në prag të festës së Fitër- Bajramit, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë besimtarët myslimanë në vend.
Në urimin e tij, Tërnava theksoi se pas një muaji agjërimi që mbushi zemrat e besimtarëve me një ndjenjë të veçantë paqeje dhe miqësisë, festa e Bajramit është një festë përbashkuese për të gjithë myslimanet në botë dhe kjo festë simbolizon triumfin shoqëror.
Tërnava: Fitër Bajrami është festë për bashkuese për myslimanet
“Për një muaj me radhë agjërimi mbushi zemrat dhe shpirtrat tanë me një ndjenjë të veçantë paqeje, qetësie e pse jo edhe krenarie, andaj festa e Fitër Bajramit, është mundësi për të shprehur mirënjohjen dhe gëzimin për arritjen e pastrimit shpirtëror që është shoqëruar me përkushtim dhe devocion. Fitër Bajrami është festë përbashkuese për myslimanet në mbarë botën, festë që simbolizon triumfin shoqëror, momente gëzimi dhe reflektimi që shpreh faljen, mirësimin dhe bashkimin familjarë dhe shoqëror. Vlera këto që i japin kuptim të thellë social dhe shoqëror e gjithsesi edhe shoqëror”, potencoi Tërnava.
Tërnava shtoi se namazi i Bajramit është mundësi për të falënderuar mundësin që Zoti iu dhuroi besimtarëve për agjërimin e ramazanit.
Tërnava: Është momenti kyç për të kërkuar dhe reflektuar paqe dhe lumturi për vetën, familjen dhe besimtarë
“Festa e Fitër Bajramit te populli ynë në vazhdimësi ka pasur një rëndësi dhe vlerë të posaçme. Është festë më popullore dhe me më ndikim në shoqërinë tonë, si në të kaluarën , ashtu edhe tash populli ynë e feston Bajramin me shumë gëzim dhe nderim, duke ruajtur traditat dhe duke theksuar vlerat e solidaritetit, respektit dhe mirësisë. Duke pasur parasysh se namazi i Bajramit është një mundësi reale për të shprehur falënderimin për mundësinë që na dhuroi Zoti për agjërimin e këtij muaji të bekuar, është momenti kyç për të kërkuar dhe reflektuar paqe dhe lumturi për vetën, familjen dhe besimtarët mbarë ngase kjo është një formë e thellë e lidhjes shpirtërore me Zotin dhe një shenjë e besimit të vazhdueshëm në zotin një”, tha ai.
Përndryshe, muaji Ramazan përfundon ditën e shtunë, më 29 mars, ndërsa dita e parë e festës së Fitër-Bajramit, është të dielën më 30 mars.
Manifestimi qendror mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, në orën 05:41, me faljen e namazit të sabahut, të cilit do ti prijë Hetem Sopjani, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga Agim Hyseni - anëtar i Kryesisë së BI-së së Kosovës, transmeton KosovaPress.
Namazi i Fitër-Bajramit falet në orën 06:59, të cilit do ti prijë Vedat Sahiti - kryeimami i BIK-ut. Hytben e Fitër-Bajramit do ta mbajë myftiu Naim Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit me një mesazh për këtë festë. Ndërsa Kryesia e BIK-ut organizon pritjen tradicionale në selinë e Kryesisë nga ora 9:00-12:00.