“Ai është vlerësuar si një nga trajnerët më të talentuar të rinj në futboll dhe tani i është besuar stoli i Mançester Junajtid. Por Ruben Amorim dikur njihej më shumë për shakatë sesa për taktikat”, kështu thotë ish-shoku i tij te Benfika, Roderik Miranda, i cili pranon se ishte i habitur kur pa Amorim të kapërcente nga figura e një “klouni” që njihej për shakatë në dhomën e zhveshjes, në drejtimin e një klubi të Premier Ligës.
Miranda tha për “Flashscore Australia” këtë javë: “Kurrë nuk e mendova se ai do të bëhej trajner! Jo për shkak të aftësive të tij në futboll apo inteligjencës, por sepse ai ishte ‘klouni’ i dhomës së zhveshjes. Ai kishte një personalitet shumë argëtues dhe gjithmonë bënte diçka për të na bërë të qeshnim. Kur dëgjova që kishte nisur karrierën si trajner, u habita pak dhe pyeta veten: si mund të bëhet kaq serioz një djalë me të cilin kam luajtur? Por ai ishte një lojtar shumë inteligjent. Mund të luante në disa pozicione të ndryshme, ndoshta kjo është arsyeja pse është një trajner i shkëlqyer, sepse ka një kuptim të jashtëzakonshëm të lojës”.
Miranda dhe Amorim u rritën së bashku në akademinë e Benfikës dhe luajtën bashkë në fillim të viteve 2000. Amorim, sot 40 vjeç, pati një karrierë të respektuar si mesfushor, duke luajtur në nivelin e lartë për Belenense, Benfika, Braga dhe klubin katariot Al-Uakrah, si edhe duke përfaqësuar Portugalinë 14 herë mes 2010 dhe 2014.
Megjithatë, është roli i tij si trajner ai që ka mahnitur futbollin evropian. Pasi i dha fund pritjes 19-vjeçare te Sportingu për titullin, Amorim u emërua trajner i Mançester Junajtid në nëntor 2024.