Presidenti i Republika Sërpska i dyshuari për sulm ndaj rendit kushtetues të Bosnjë-Hercegovinës, Millorad Dodik, u takua në Moskë me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Ky informacion u konfirmua nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov. Pas takimit, Dodik tha se “Putini e di shumë mirë se çfarë po ndodh” në Bosnje dhe Hercegovinë.
“Rusia është garantuesi i Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe kështu tha Putini në takim. Ai shtoi se në këtë kuadër Rusia do të avokojë për përfundimin dhe ndërprerjen e punës së institucioneve ndërkombëtare, veçanërisht të përfaqësuesit të lartë të rremë, përfaqësuesit jolegjitim”, tha Dodik.
Ndryshe Millorad Dodik ka disa ditë që ndodhet në Moskë, i cili pas përfundimit të vizitës në Izrael është nisur për në Rusi nga Serbia.
Ende nuk dihet se si Dodik u largua nga Bosnja dhe Hercegovina, duke pasur parasysh se ndaj tij është lëshuar një fletarrest dhe se ai pritet të mbahet për një muaj paraburgim për mospërgjigje ndaj thirrjeve të institucioneve gjyqësore për seancë dëgjimore.
Dodik, së bashku me kryeministrin e Republika Sërpska, Radovan Vishkoviq dhe kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Nenad Stevandiq, dyshohet se kanë sulmuar rendin kushtetues të vendit tonë.
Hapja e kësaj çështje ndodhi pasi Dodik nënshkroi dekrete për ligjet që ndalojnë punën e institucioneve shtetërore SIPA, Gjykatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Prokurorisë së Bosnje-Hercegovinës në territorin e Republika Sërpska.
Gjithashtu në ditët në vijim pritet vendimi i Interpolit për lëshimin e një fletarresti të kuq ose ndërkombëtar për Dodik dhe Stevandiq, të cilët po largoheshin nga BeH pas lëshimit të fletarrestit ndaj tyre